Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 10:00

Londër  – Një ekip special i punonjësve komunalë për pastrim, të mbështetur nga qindra policë, natën e kaluar rrëzuan kampin joligjor të tendave të ngritur nga grupi “Okuponi Londrën” që nga 15 tetori i vitit të kaluar, në kuadër të protestës antikapitaliste.

Protestat kanë filluar që para katër muajve, si pjesë e tubimeve globale protestuese për një sistem financiar më të arsyeshëm, por protestuesit e Londrës të cilët nuk arritën të bllokojnë disa nga sheshet në qendrën financiare, pushtuan vendkalimin përpara katedrales “Sent Pol”, që ndodhet në hyrjen e Sitit.

Në operacionin e mbrëmshëm një grup i vogël i protestuesve refuzonin ta braktisin hapësirën para kishës dhe pas mënjanimit të tendave filluan të ndërtonin barrikada, të cilat u bënë shkak që të përlesheshin me policinë.

Rrënimi i lagjes së tendave kryesisht kaloi pa incidente të mëdha, por deri në orën tre pas mesnate nuk ishte mënjanuar akoma barrikada e bërë me të shpejtë, mbi të cilën u ngjitën njëzetë protestuesit më të flaktë.

Pas vendimit të Gjykatës, rreth 120 protestuesve të cilët sapo e kaluan vjeshtën dhe dimrin, më shumë se gjysma vetë i mblodhën tendat e tyre dhe u tërhoqën. Mbetën vetëm rreth pesëdhjetë protestues, të cilët deklaruan se nuk do të tërhiqen dhe se do ta vazhdojnë luftën kundër “bankierëve lakmitarë dhe sistemit të padrejtë bankar dhe financiar”.

Autoritetet komunale dhe të qytetit i akuzuan protestuesit se pas “luftës së tyre antikapitaliste” kishin edhe “punë të tjera të dyshimta dhe ilegale”, si alkoolizëm, amoralitet dhe drogim, si dhe i gjithë kampi është burim i papastërtisë dhe ndotjes.