Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 08:02

Athinë – Negociatat për qeveri të unitetit kombëtar janë në vijim dhe deri në fund të ditës duhet të arrihet marrëveshje, ndërsa ndoshta do të kumtohet edhe emri i kryeministrit të ri, deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë greke Ilias Mosialos.

Presidenti i Greqisë Karolos Papulas, i cili u bëri thirje të gjithë aktorëve politik në vend për bashkëpunim, sot u takua me liderin e partisë kryesore opozitare Demokracia e Re, Andonis Samaras, pasi që dje kishte takim me kryeministrin Jorgos Papandreu.

Temë e bisedimeve është formimi i qeverisë së unitetit kombëtar, e cila sipas Papandreut do të duhet të zgjasë disa muaj, që t’i bind kreditorët e huaj në stabilitetin e vendit, ndërsa Samaras kërkoi që për disa javë të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Mosialos, duke paralajmëruar marrëveshje të shpejtë, theksoi se emri i kryeministrit të ri do të duhet të kumtohet më së voni deri nesër. Ai shtoi se kryeministri aktual Papandreu do të japë dorëheqje pasi që të arrihet marrëveshja përfundimtare.

Zëdhënësi qeveritar theksoi se në qeverinë e unitetit kombëtar është e domosdoshme të marrin pjesë dy partitë më të mëdha – partia qeveritare PASOK dhe ajo opozitare Demokracia e Re, por e përjashtoi mundësinë për pjesëmarrje të partive të vogla.

“Qeveria e këtillë, e përbërë nga politikanë dhe teknokratë do të jetë me jetëgjatë të shkurtër”, potencoi Mosialos, duke shtuar se të gjitha procedurat do të finalizohen gjatë javëve të ardhshme.

 

###

 

Mosialos: Greqia deri në fund të vitit duhet ta ratifikojë planin e BE-së për ndihmën

 

Athinë – Greqia duhet deri në fund të vitit ta ratifikojë planin për pakon e ndihmës nga Bashkimi Evropian, me çfarë vendi duhet të dalë nga kriza debitore, deklaroi mbrëmë zëdhënësi i Qeverisë greke, Ilias Mosialos.

Ai theksoi se në samitin evropian është dakorduar që ratifikimi i ndihmës në Parlamentin grek të jetë deri në fund të këtij viti.

“Partnerët tanë evropian nuk do të presin. Kemi vetëm shtatë javë dhe nuk mundemi të humbim asnjë”, theksoi Mosialos.

Kryeministri grek Jorgos Papandreu pas takimit të djeshëm me presidentin Karolos Papulas paralajmëroi se negociatat për qeverinë e re koalicionuese të Greqisë do të fillojnë së shpejti.

Pas paralajmërimit të Papandreut, lideri i partisë opozitare greke Demokracia e Re Andonis Samaras kërkoi dorëheqje nga kryeministri dhe mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme.

Samaras deklaroi se e mbështet idenë për qeveri afatshkurtër koalicionuese, e cila do të ketë detyrë ta sigurojë aprovimin në parlament të planit shpëtues evropian, para se të mbahen zgjedhjet.