Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 12:24

Ohër – Në marrëdhëniet midis Federatës ruse dhe Republikës së Maqedonisë aspak nuk ekzistojnë çështje të hapura politike. Detyra jonë është vetëm ta vazhdojmë bashkëpunimin, porositi shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov pas takimit të sotëm në Ohër me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski.

“Takimi i sotëm është në drejtim të shfrytëzimit të mëtejmë të lidhshmërisë dhe synimit për komunikim reciprok, i cili në mënyrë historike ekziston midis vendeve tona për ndërtimin e marrëdhënieve bashkëkohore për zhvillimin e bashkëpunimit në sferën shpirtërore-kulturore dhe në sferën e ekonomisë dhe investimit, siç u dakordua në takimin e kryetarëve të Federatës ruse dhe të Maqedonisë Medvedev dhe Ivanov vitin e kaluar në Shën Petërburg”, tha Lavrorv.

Me ministrin Milloshoski janë përqëndruar në atë se si zhvillohet plotësimi i marrëveshjes nga ana e presidentëve të dy vendeve.

Milloshoski theksoi se dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta, simpati dhe afërsi kulturore të cilat mund të shërbejnë si kapital për zhvillimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Rusisë si në sferën politike, ashtu edhe në atë ekonomike.

“Kjo vizitë mund të jetë impuls i rëndësishëm për hapjen e kapitullit të ri në drejtim të thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve edhe ashtu të mira midis Maqedonisë dhe Rusisë. Ajo ka simbolikë bashkëkohore por edhe historike pasi që sot shënohet 150- vjetori i prezencës së parë diplomatike ruse në territorin e Republikës së Maqedonisë me hapjen e konsullatës ruse në Manastir para 150 viteve”, tha Milloshoski.

Ministrat Lavrov dhe Milloshoski në takim e nënshkruan Planin e përbashkët të ministrive të dy vendeve për konsultime të rregullta për periudhën 2011-2012 për të cilat pritet të kontribuojnë për koordinim më të afërt në sfera të ndryshme të politikës së jashtme.

Milloshoski njëherit, iu falënderua homologut të tij rus për gjestin i cili takimet e sotme i shfrytëzoi Maqedonisë t’i dorëzojë disa dokumente nga arkivi diplomatik rus të rëndësishme për historinë dhe veçantinë e popullit të Maqedonisë.

Lavrov në Ohër do të ketë takime edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.

***************************

Ohër – Maqedonia e krijuar nga Perëndimi, u hapë rrugë sinjaleve të slllavo-nacionalizmit rus, në  detajet e vizitës së Lavrovit.

Marrëdhëniet bilaterale, situata në Ballkan, dhe mundësitë për bashkëpunim më të fuqishëm tregtar dhe ekonomik, veçanërisht në energjetikë, do të jenë temat e takimit të sotëm në Ohër të ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov me kreun shtetëror të Maqedonisë.

Krahas bisedimeve me ministrin e Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski, me të cilin do të nënshkruajnë Plan për konsultime mes ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve për periudhën 2011-2012 Lavrov do të takohet edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve shënojnë trend në rritje, ndërsa dialogu politik po “zhvillohet në mënyrë dramatike”, vlerëson një përfaqësues i Ministris ruse të Punëve të Jashtme”, në deklaratën e transmetuar nga agjencia ITAR TASS.

Rusia ishte mes vendeve të para që e njohu Republikën e Maqedonisë  edhe atë nën emrin kushtetues. Ajo është një ndër partnerët më të mëdhenj tregtar të Maqedonisë. Këmbimi tregtar  në vitin 2010 arriti 579 milionë dollarë,  që është për 12 për qind më shumë  se në vitin 2009. Investimet e përgjithshme ruse në Maqedoni janë rreth 300 milionë dollarë dhe kryesisht janë të orientuara në energjetikë dhe miniera. Të dy qeveritë vjet nënshkruan marrëveshje  për rregullimin e borxhit kliring rus të trashëguar  nga koha  e ish-BRSS-së dhe RFSJ-së, në vlerë prej 60,5 milionë dollarve. Sipas marrëveshjes, borxhi duhet të paguhet  me inkuadrimin e kompanive ruse në gazifikimin e Maqedonisë.

Sergej Lavrov qëndrimin njëditor në Ohër do ta shfrytëzojë për vizitën e monumenteve historike kulturore-historike të qytetit, të cilin mediat ruse e përshkruajnë si një nga qytetet më të vjetra dhe më të bukura, ndërsa për shkak të numritt madh të kishave edhe si “Jerusalemi i Ballkanit”.

Shefi i diplomacisë ruse do ta vizitojë edhe  ekspozitën  me rastin e 150 vjetorit të hapjes së Konsullatës së Rusisë në Manastir që do të mbahet në hotelin “Ineks Gorica”, ndërsa do t’i vizitojë edhe monumentet kulturore-historike në Ohër.

Për shkak të vizitës së Lavrovit, në Ohër sot është vendosur regjim i veçantë i komunikacionit. Në akse të caktuar  rrugore përkohësisht do të kufizohet lëvizja  e automjeteve motorike dhe e të gjitha llojeve të automjeteve, me rregullim fizik të trafikut. Në rrugët në të cilat do të lëvizë delegacioni nuk do të lejohet ndalje apo parkim i automjeteve. Nga policia paralajmërojnë se do të largohen të gjitha automjetet e parkuara në mënyrë jo të rregullt, si dhe sendet e vendosura në sipërfaqet e rrugëve.