Lajme Shqip Thursday, 20 December 2012 12:35

Prishtinë – Beogradi ka ngritur tensionet në procesin e dialogut, të mërkurën, duke vendosur në letër kushtet dhe kërkesat për autonomi të serbëve të Kosovës, të cilat synon t’i realizojë përmes dialogut politik në Bruksel, e që shkojnë në drejtim të krijimit të një entiteti për të gjithë serbët e Kosovës, që do të ketë nivel të lartë pavarësie territoriale e politike nga Kosova, ngjashëm me Republikën që serbët tashmë e kanë në Bosnje.

Platforma politike e Beogradit, një kopje të së cilës e posedon “Koha Ditore”, u është shpërndarë përfaqësuesve të vendeve të BE-së, Quintit dhe Rusisë, ndërsa ajo, në gjashtë faqet e saj, përkufizon në detaje kërkesat e Serbisë për krijimin e një entiteti autonom serb në Kosovë, ku përveç komunave në veri të Kosovës, do të përfshiheshin edhe komunat e tjera me shumicë serbe, sikur që janë Graçanica dhe Shtërpca.

Më tutje Beogradi kërkon që edhe enklavat më të vogla serbe, sikur që janë disa fshatra që nuk kanë statusin e komunave, të fitojnë një status special, duke krijuar edhe ato një distancë nga Qeveria e Kosovës.(K.N)