Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 16:53

Shkup – Në programin e ri qeveritar, të cilin duhet ta miratojë Parlamenti i Maqedonisë, së bashku me përbërjen e re qeveritare, javën e ardhshme, janë përfshirë edhe kërkesat apo premtimet parazgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Këtë e ka bërë të ditur deputetja e kësaj partie, Ermira Mehmeti.

“Zhvillimi dhe ndërtimi i zonave të lira ekonomike në Strugë dhe Kërçovë, zhvillimi i barabartë rajonal dhe shfrytëzimi i mjeteve buxhetore për rajonet, ndërtimi i disa shkollave fillore dhe të mesme nëpër vendbanimet të banuara me shqiptarë, si në Haraçinë dhe Saraj dhe ndërtimi i hidrocentraleve, janë vetëm disa nga premtimet parazgjedhore të BDI-së, të përfshira në programin qeveritar”, ka thënë deputetja, Mehmeti.

Sipas saj, Qeveria e re do të ndërtohet mbi parimet e partneritetit, besimit, konstruktivitetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë për të realizuar projekte të përbashkëta. Në programin qeveritar janë përfshirë edhe disa projekte infrastrukturore nëpër vendbanimet shqiptare të cilat kanë rrëndësi të jashtëzakonshme në përmirësimin e kushteve elementare për jetës.

“Aksi rrugor Shkup-Bllacë, Korridori 8 deri në vendkalimin Kufitar të Qafë-Thanës, përfundimi i pjesës së Korridorit 8, që kalon në vendbanimet shqiptare, ndërtimi i rrugës regjionale Shkup-Kumanovë, hapja e vendkalimeve kufitare Stançiç-Bellanoc dhe Llojan-Miratoc, ndërtimi i rrugës Jazhinc–Prizren, ndërtimi i rrugës së Arbrit, si dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore, që do të përmirësojnë lëvizjen sa më të mirë të qytetarëve, janë përfshirë në program”, ka thënë deputetja Ermira Mehmeti-Devaja. Programi qeveritar, së bashku me përbërjen e re qeveritare, do të votohet në javën e ardhshme, më 28 korrik. (LajmeShqip.com)