Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 20:30

Prishtinë – Zv/kryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç, i cili është kryetar i Partisë Liberale, nga komuniteti serb, po merr pjesë në Konferencën e Liberalëve Evropianë në Beograd.

Bëhet e ditur se zv/kryeministri dhe njëherazi Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Kryetar i Partisë Liberale, Slobodan Petroviç, gjatë prezantimit në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Beograd, ka thënë se është i domosdoshëm implementimi i vlerave evropiane në Kosovë dhe në rajon, e sidomos respektimi i marrëveshjes në mes të Beogradit dhe Prishtinës, ku ndërmjetësues është Bashkimi Evropian.

Partia liberale, si anëtare e grupit liberal evropian, gjatë pjesëmarrjes në këtë Konferencë po merr përkrahjen e plotë  për politikën që po zbaton duke marrë pjesë në institucionet e Kosovës, thuhet në njoftimin nga zyra e shtypit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ministri Petroviç në ligjëratën e tij me temë “Problemet politike dhe stagnimi ekonomik në Ballkan”, ka thënë se respektimi i marrëveshjes që arrihet mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel duhet të përmbajë prioritete të të dy palëve.

“Partia Liberale, para së gjithash, me qëndrim të sinqertë dhe me politikë liberale, tenton t’i ndihmojë qytetarët e Kosovës në realizimin e të drejtave individuale dhe jo në mënyrën që kërkohet nga disa politikanë në qeveri. Pse bëhet tërë ky politizim i shoqërisë kur të gjithë e dimë sa shtrenjtë e kemi paguar në të kaluarën”, ka thënë Petroviç në paraqitjen e tij në këtë Konferencë. (LajmeShqip)