Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 15:11

Gaza – Pas vrasjes së liderit të Hamasit nga një sulm ajror i avionëve ushtarakë izraelitë në Rripin e Gazës, janë vrarë dhe tre izraelitë nga një sulm me raketa të lëshuara nga Rripi i Gazës, në një përshkallëzim të dhunës në rajon. Dëshmitarët nga vendngjarja thanë për BBC se makina e Ahmed Said Khalil al-Jabari u qëllua nga një raketë në kohën kur po udhëtonte në qytetin e Gazas.

Pas vrasjes së Al-Jabarit , ka reaguar Hamasi. Zëdhënësi i grupit palestinez që qeveris Rripin e Gazës e cilësoi vrasjen e tij një “akt pabesie me pasoja të mëdha për Izraelin”. Menjëherë pas kësaj deklarate në Gaza janë dëgjuar të tjera shpërthime të fuqishme që për momentin nuk dihet nëse janë pasojë e veprimeve luftarake të ushtrisë izraelite apo “hakmarrje” e Hamasit për vrasjen e liderit të saj ushtarak.

Përshkallëzimi i dhunës rrit frikën për luftë në rajon, ndërsa situata mbetet tejet e tensionuar mes palëve. Ndërkoh, që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka zhvilluar një takim urgjent prapa dyerve të mbyllura, për të diskutuar sulmet ushtarake izraelite mbi Gazë, të cilat të mërkurën vranë komandantin e Hamasit. zraeli fajëson al-Jabarin për të gjitha sulmet terroriste të ndëmarra kundër qytetarëve dhe interesave të tij në dhjetë-vjeçarin e fundit.

Jabari është i pari udhëheqës i lartë i Hamasit i vrarë nga forcat izraelite në këto katër vjet. Aksioni izraelit pasoi deklaratët e politikanëve dhe udhëheqësve të lartë ushtarakë në Tel Aviv lëshuar së fundmi ku thonin se po marrin seriozisht në konsideratë vrasjen e krerëve të Hamasit që operojnë në Gaza pas rritjes së bombardimeve me raketa nga ky territor drejt qyteteve izraelite.
Që nga e shtuna katër civilë dhe tre militantë palestinezë, përfshirë këtu edhe Jabarin, janë viktimat e bombardimeve izraelite në territoret palestineze.(LajmeShqip.com)