Lajme Shqip Wednesday, 09 January 2013 16:15

Prishtine – Kërcënimet e kryeministrit serb, Ivica Daçiq se do ta largoj përmendoren e UÇPMB-së nga qendra e Preshevës mund ta tensionojë gjendjen në atë pjesë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Kjo gjendje e krijuar në Luginën e Preshevës sipas analistëve në Prishtinë mund të përshkallëzohet gjatë ditëve në vijim sepse të gjitha indikacionet qojnë në atë se xhandarmëria do ta heq lapidarin dhe gjithsesi se kjo do të shkaktoj reaksione zingjirore.

Prania e formacionit gjysmë-ushtarak serb, sipas analistëve përbën rrezik të madh jo vetëm për Luginë të Preshevës, por edhe për sigurinë nacionale në Kosovë, kurse serbët nuk i pengon lapidari por shqiptarët atje.

Drejtori i qendrës për studime të Sigurisë, Florian Qehaja ka thënë për Kosovapress se në Luginën e Preshevës gjithmonë gjendje ka qenë e rënduar por preteksti i përmendores nga ana e Qeverisë së Serbisë veç sa ka shërbyer për një destabilizim edhe më të madh të situatës.

Ai theksoi se në bazë të asaj që mundë të parashihet, Daçiq do të urdhëroi largimin e lapidarit të dëshmorëve dhe do të shkaktoj reaksione zingjirore.

“Unë mendoj që prezenca e shtuar e xhandarmërisë edhe ushtrisë serbe në Luginë e Preshevës, përbën rrezik të madh jo vetëm për Luginë të Preshevës, por edhe për sigurinë nacionale në Kosovë. Konsideroj se është dashur që gjatë marrëveshjes që është negociuar në mes Beogradit dhe Prishtinës për IBM-in, është dashur që t`i vihet kusht dhe t`i bëhet presion që Serbia t`i tërheq xhandarmërinë nga ajo pjesë. Ta marrim një shembull, Serbia ka edhe policinë kufitare me shtete tjera, si me Rumaninë, Bullgarinë, ndërsa me Kosovën e ka xhandarmërinë. Xhandarmëria është një formacion gjysmë-ushtarak dhe vet prezenca e këtyre personave aty përbenë rrezik. Sa i përket lapidarit të gjitha indikacionet qojnë në drejtim që Qeveria e Serbisë , konkretisht xhandarmëria do ta heq lapidarin dhe gjithsesi se kjo do të shkaktoj reaksione zingjirore, për arsye se ka interpretime të ndryshme nga të dyja palët, qoftë nga shqiptarë, qoftë nga serbët, lidhur me rëndësinë apo mos rëndësinë e këtij lapidari”, ka thënë Qehaja.

Nënkryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, njëherësh edhe deputeti lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi pret që shqiptarët atje të mos e largojnë lapidarin, i cili simbolizon luftën e drejtë të bërë nga shqiptarët në këtë pjesë.

“Mendoj që shqiptarët nuk do të heqin dorë nga ai lapidar, ashtu siç nuk hoqën dorë edhe nga rezistenca, deri në luftë çlirimtare. Heqje dorë nga ky lapidarë do të nënkuptonte heqjen dorë nga luftë që bënë luftëtaret atje. Unë kamë shumë besim për shqiptarë atje që nuk do të heqin dorë as nga ky lapidarë atje, por as nga lufta që bënë, nga trojet e veta dhe ashtu siç qëndruan nën presion e vazhdueshëm, do të vazhdojnë të qëndrojnë, duke mbrojtur qenien e vet atje dhe pjesë e qenies atje është edhe ky lapidarë, prandaj unë pres nga shqiptarët që të mos lëshojnë pe, pasi që Serbinë nuk e pengon lapidari, por e pengon shqiptari”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, ditë më parë, Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për Politik të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton ka thënë se kjo është një çështje e brendshme e Serbisë dhe BE-ja nuk dëshiron të përzihet.

Kurse, Qeveria e Kosovë ka porositur autoritet në Beograd që të kenë kujdes më shqiptarët atje, pasi kjo mund të ndikoj në destabilitetin në rajon.

Ndërkaq, përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të shtunën do të sjellin vendimin politik lidhur me fatin e përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.(K.P/LajmeShqip.com)