Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 09:00

Damask – Në përleshjet mes protestuesve dhe ushtarëve sirianë dhe këmbimzjarreve mes dezertorëve dhe njësiteve ushtarake në Siri sot humbën jetën 32 persona, njoftojnë mediat perëndimore, duke iu referuar Qendrës siriane për mbikëqyrje të të drejtave të njeriut.

Në sulmin e “beduinëve të armatosur” mbi një autobus ushtarak në pjesën qendrore të Sirisë, afër qytetit Palmira sot janë vrarë shtatë pilotë nga forcat ajrore siriane. Përgjegjësinë për sulmin e ka ndërmarrë Armata çlirimtare siriane – grup i armatosur opozitar, ku janë kryesisht dezertorë nga armata e rregullt.

Njëmbëdhjetë ushtarë sirianë dhe dy dezertorë nga armata siriane sot humbën jetën në këmbimzjarrin në provincën qendrore siriane Homs.

Armata siriane ka shtënë tre orë mbi fshatin Rastan në Homs ku dezertorët kanë pasur pozicione. Në sulmin e dezertorëve sirianë në fshatin Hule në provincën e njëjtë janë vrarë 11 ushtarë sirianë.

Në Bajada, në provincën Homs, forcat siriane kanë vrarë katër civilë, tetë civilë të tjerë janë vrarë në përleshje mes policisë në vendbanime të tjera në provincë.

Në Siri dje kanë humbur jetën 34 njerëz, mes të cilëve pesë dezertorë dhe gjashtë fëmijë.