Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 11:49

Banja Llukë – Në Qendrën Përkujtimore Potoçari sot po shënohet 16-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë rreth 8 mijë djem dhe burra myslimanë.

11-vjeçari Nesim Muhiq është viktima më e re nga 613 të tilla që do të varrosen sot në Potoçari.

Drejtori i Qendrës Përkujtimore Potoçari, Mersed Smajloviq, ka thënë se deri më tash në këtë kompleks janë varrosur 4.524 viktima.

Në lokacione të tjera janë varrosur 188 viktima.

Kjo bën që në përvjetorin e 16-të, të identifikuar dhe të varrosur të jenë 5.325 viktima të Masakrës së Srebrenicës.

Sipas të dhënave zyrtare, në listën e të pagjeturve, që nga qershori i vitit 1995, figurojnë edhe më tej 3.040 persona.

Këtë vit është mbajtur edhe marshi tradicional, “Marshi i Paqes, në të cilin më shumë se 6 mijë njerëz nga e tërë bota kanë kaluar në rrugën në të cilën në vitin 1995 boshnjakët e Srebrenicës ikën dhe kërkuan shpëtimin nga granatat e Ushtrisë së Republikës Serbe.

Masakra e Srebrenicës njihet si gjenocidi më i rëndë në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.