Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 17:21

Shkup – Gazetarë shqiptarë e maqedonë kan vërshuar sheshin e Shkupit, duke shprehur, të bashkuar, mllefin ndaj padrejtësive që po bëhen ndaj tyre në Maqedoni.

Ka shpresë për gazetarinë në Maqedoni, pasi që ka lindur solidariteti mes gazetarëve. Me këto fjalë kreu i SHGM-së, Naser Selmani, është drejtuar në marshin e sotëm protestues të gazetarëve, me moton “Solidaritet”.

Duke u distancuar nga tentimet për keqpërdorim të protestës, e cila filloi në selinë e SHGM-së, ajo ka vazhduar deri në sheshin “Pela” dhe ka përfunduar në përmendoret e Goce Dellçevit dhe Dame Gruevit, në sheshin e Shkupit. Selmani, madje ka thënë se gazetarët nuk kërkojnë lëmoshë, por respektim të të drejtave të tyre.

“Ligji të aplikohet në tërësi dhe jo në mënyrë selektive”, ka kërkuar Selmani. “T’i harrojmë dallimet dhe të bashkohemi rreth mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit tonë profesional”, është mesazhi i kryetarit të SHGM-së, i cili nënvizoi se bashkimi është kyç për mbrojtjen e të drejtave gazetareske dhe të profesionit.

Sipas tij, gazetarët si esnaf, duhet ta ngrisin zërin kur mbyllen mediat, pa dallim se cilat janë arsyet për atë.

Arsyet e kësaj proteste më parë i bëri të ditur Tamara Çaushidis, kryetare e Sindikatës, sipas së cilës janë shkelur të drejtat profesionale dhe dinjiteti i gazetarëve.

Arsye për marshin, ka shtuar Çausidis, janë pushimet e dy kolegeve tona nga puna, prandaj siç tha ajo, ato folën për problemet në redaksinë e tyre.

“Lista e arsyeve është e gjatë. Dëshirojmë qartë të tregojmë se jemi të organizuar, nuk mund të na blejnë, as të na frikojnë”, ka thënë kryetarja e Sindikatës, Tamara Çausidis. “Nuk ka media të lira në kushte varfërie, korrupsioni e frike. Punëdhënësit të respektojnë sindikatën si partner real, sepse qëllimi i saj është mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, mbrojtja e të drejtave demokratike të njeriut”, ka thënë Çaushidis. (LajmeShqip.com)