Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 08:41

Shkup – Eurodeputeti Jelko Kacin në konferencën për Ballkanin Perëndimor që e organizoi Parlamenti Evropian dhe Presidenca hungareze me BE-në ka bërë thirrje që më shpejt të zgjidhet çështja e emrit të Republikës së Maqedonisë.

Siç ka kumtuar zyra e tij, Kacin, i cili është nënkryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, ka theksuar se kontesti për emrin e frenon eurointegrimin e Maqedonisë gjashtë vjet dhe se nevojitet të ndryshohet qasja në bisedimet për zgjidhje kompromise që të ndërpritet bllokada afatgjatë. Ai ka propozuar zgjidhje alternative të emrit “Maqedonia Jonë”.

“Dua të jem provokativ. Dua t’i detyroj dy palët që ta ndërrojnë pikëvështrimin e tyre ndaj problemit. Nga ky vend propozojë që Shkupi dhe Athina ta shqyrtojnë propozimin alternativ të emrit ‘Maqedonia Jonë’. Pse ‘Maqedonia Jonë’? Në rrethinë ka tre rajone që e kanë emrin Maqedoni. ‘Maqedonia Jonë’, sipas definicionit, mohon çfarëdo qoftë aspiratash territoriale të IRJM-së aktuale ndaj këtyre rajoneve. Me këtë emër të gjithë do të mund të jetojnë”, ka theksuar Kacin në konferencën.

Sipas tij, nëse propozimet paraprake nuk ka dhënë fryt, me ndonjë të ri kjo duhet të ketë sukses. “Nevojitet vizion dhe inkurajim politik se si do të dilnin nga ky rreth magjepsës. Maqedonia është vendi ynë evropian dhe ne duam që ajo sa më shpejt të kthehet në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë eurodeputeti Kacin në konferencën për Ballkanin Perëndimor.