Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 17:22

Parlamenti Evropian votoi pro anëtarësimit të Kroacisë në BE, ndonëse kërkoi nga Zagrebi që të bëjë edhe më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për anëtarësimin e Kroacisë në BE votuan 564 deputet të PE-së, 38 ishin kundër, dhe 32 abstenuan.

Marrëveshja e Parlamentit ishte pengesa e fundit juridike para nënshkrimit të Traktatit të Anëtarësimit, i parashikuar të bëhet gjatë samitit të drejtuesve evropianë të 8 dhe 9 dhjetorit në Bruksel.

Traktati duhet të ratifikohet menjëherë nga të 27 shtetet anëtare të BE’së. Nëse çdo gjë shkon si duhet, më 1 korrik 2013 Kroacia do të bëhet shteti i 28’të i BE’së.

Parlamenti Evropian kërkoi nga autoritetet kroate që të rrisin përpjekjet për nxjerrje para drejtësisë të krimeve të luftës, të respektimit të rekomandimeve të Gjykatës Penale për ish-Jugosllavinë (TPIY) dhe të inkurajimit të rikthimit në vend të refugjatëve të luftës – veçanërisht të serbëve.