Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 15:02

Shkup – Paul Volers, me siguri do të jetë ambasadori i ri i SHBA-ve në Maqedoni, në vend të ambasadorit aktual Filip Riker, i cili kah fundi i majit do të transferohet për detyrë të re në Kabinetin e Sekretariatit shtetëror amerikan.

Presidenti amerikan Barak Obama, ditë më parë, ka zbardhur intencat e tij për të nominuar diplomatin Volers si pasardhës të Rikerit. Sipas burimeve diplomatike, Volers do të duhet të vijë në Shkup ka fundi i qershorit pas mbarimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Nga administrata amerikane kërkojnë që ambasadori aktual Riker të jetë i pranishëm gjatë procesit zgjedhor në Maqedoni sepse ai i njeh mirë ngjarjet politike në vend dhe mund të kontribuojë që procesi zgjedhor të kalojë sa më mirë.

Ambasadori i ri nuk është i panjohur për opinionin sepse ai ka qenë zëvendës i ish ambasadores Xhilijan Millovanoviq si dhe disa muaj e ka kryer funksionin si kryerës i detyrës së ambasadorit.

Vendimi i nominimit të Volers nga presidenti Obama, duhet fillimisht të votohet nga Komisioni për punë të jashtme i Senatit amerikan dhe më pas vendimi përfundimtar  miratohet me vota të të gjithë anëtarëve të Senatit konfirmojnë nga Ambasada amerikane në Shkup.

“Afat të caktuar nuk ka për zgjedhjen e Volersit dhe tjerëve. E tëra varet nga prioritetet e Komisionit për punë të jashtme të Senatit kur do të vendos të mbajë dëgjimin për këtë çështje”, thonë nga Ambasada amerikane në Shkup.

Paull Volers momentalisht është duke punuar si sekretar ekzekutiv në Departamentin amerikan të shtetit dhe pikërisht Sekretarja e shtetit Hillari Klinton ka qenë njëra nga iniciatorët kryesorë ai të emërohet ambasador në Maqedoni. Volers rolin më të madh në Maqedoni e ka patur gjatë kohës së zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2008 kur nga liderët politik ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në atmosferë demokratike dhe të drejtë.

Megjithatë, ai u bë i njohur në opinion si diplomati i cili në emër të SHBA-ve e nënshkroi marrëveshjen për ndërtimin e Ambasadës së Amerikës në lokacion të ri, gjegjësisht në Kalanë e Shkupit. Marrëveshja për shitjen e tokës me vlerë prej 2,5 miliona euro u nënshkroi nga Volers dhe ministri i atëhershëm i Transportit dhe Lidhjeve, Xhemali Mehazi.

Sa i përket ambasadorit Riker, ai edhe në funksionin e ri do të jetë përgjegjës për Maqedoninë sepse si zëvendës i ndihmësit të sekretarit shtetëror do të mbulojë regjionin e Ballkanit. Sa për rikujtim, ishte Riker njëri nga iniciatorët kryesorë që kryeministri Nikolla Gruevski të takohet me sekretaren e shtetit Hillari Klinton dhe nënkryetarin Xho Bajden.

Funksionarët amerikanë ia shprehën brengosjen e tyre Gruevskit në lidhje me prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, rrezikimin e lirisë së mediave si dhe pavarësisë së gjyqësorit. Riker u gjend në shënjestër të kritikave nga individë të afërt me qeverinë, përkatësisht tani më ish këshilltari i presidentit Gjorge Ivanov, ambasadori Risto Nikoski përmes një kolumne ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Rikerit duke e quajtur sjelljen e tij si përzierje në çështjet e brendshme të Maqedonisë duke kërkuar ri-emërtim të shtetit dhe sjelljen e tij si guvernator i paemërtuar i Maqedonisë.

Shefi i diplomacisë maqedonase Antonio Milloshoski dhe presidenti Ivanov nuk reaguan në lidhje me përmbajtjen dhe fyerjet e Nikoskit por theksuan se ShBA-të mbeten partnerë strategjik të vendit. Ndërsa, sa i përket reaksionit të Departamentit të shtetit amerikan në të shkruheshe se pozita e Amerikës mbetet e pandryshuar dhe se çështja e emrit duhet të zgjidhet kryesisht nga Greqia dhe Maqedonia.

Ata mbetën decid edhe në atë se Riker nuk ka bërë shtypje për ndryshim të emrit të Maqedonisë, por problemi duhet të zgjidhet sepse pengon anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Ndryshe, Volers ka qenë i angazhuar si drejtor i Zyrës së çështjeve të Kaukazit dhe konflikteve regjionale në Byronë për çështje të Evropës dhe Euroazisë, zëvendës drejtori i Shtabit të sekretariatit ekzekutiv dhe zyrtar i lartë në Qendrën e Operacioneve. (Lajmeshqip.com)