Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 15:23

Qindra emigrantë kanë kaluar natën në kufirin e mbyllur midis Hungarisë dhe Serbisë.

Mediat serbe thonë se autobusët po bëhen gati të nisen drejt Kroacisë, pasi emigrantët planifikojnë të kalojnë në Slloveni, Austri dhe në fund në Gjermani.

“Ndoshta ne do të përpiqemi për në Kroaci, Slloveni dhe pastaj në Vjenë dhe Gjermani”, tha një emigrant sirian për agjencinë Reuters, i cili është aktualisht në Maqedoni”.

Ka po ashtu raporte se Rumania mund të bëhet një rrugë e re drejt Bashkimit Evropian.

Në përpjekje për të ndaluar migrantët, Hungaria ka mbyllur tërësisht kufirin me Serbinë, duke ngritur gardh me tela dhe duke vendosur kordonë policorë, madje ka nxjerrë ligj që kush kalon kufirin në mënyrë ilegale do të dënohet me burg.

Ndërkaq, ministrat e Brendshëm të BE-së pritet të mblidhen në një takim urgjent më 22 shtator, për të diskutuar krizën.

Shtetet lindore të bllokut, si Hungaria, Çekia, Sllovakia, kundërshtojnë planin e Komisionit Evropian për shpërndarjen e migrantëve në bazë të kuotave të detyrueshme.