Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 10:30

Athinë – Parlamenti grek mbrëmë, me shumicë të madhe votash miratoi ligjin për marrëveshjen e re kreditore me BE-në dhe FMN-në, marrëveshje sipas së cilës vendi parashikon të ndërmarrë masa të reja kursimi në këmbim të pakos së dytë shpëtimtare, transmetuan agjencitë botërore.

Për rënien në insolvencë ndihma financiare në vlerë të përgjithshme prej 130 miliardë eurove është me rëndësi vitale për Greqinë.

Epilogu i votimit ishte i pritur.

Në fund të ditës, të shënuar me shumë demonstrata në Athinë dhe Selanik, të cilat kaluan në dhunë dhe zjarre në kryeqytetin grek, parlamenti para orës 1 të mëngjesit miratoi ligjin.

“Nga 278 deputetët e pranishëm (prej 300 gjithësej), 199 votuan “për”, 74 “kundër” dhe 5 “abstenuan”, kumtoi kryetari i parlamentit njëdhomësh, Filipos Pecalnikos.

Ligji kaloi me votat e dy partive kryesore greke. Qeverinë e kryeministrit teknokrat, Lukas Papadhimos, që ka detyrë të rëndë për ta udhëhequr Greqinë në këtë kohë të vështirë, e mbështesin socialistët e PASOK-ut dhe konservatorët nga Demokracia e Re. Dy partitë kanë në parlament shumicë komfore, që u lejoi ta shtyjnë ligjin, edhe krahas asaj që dhjetëra kolegë të tyre deputetë votuan kundër.

Zbatimi i ligjit do të shoqërohet nga masa të reja për kursim. Rroga bruto minimale do të ulet për 22 përqind nga 751 euro në 586 euro në muaj (të rinjve deri në moshën 25-vjeçare për 32 përqind – deri 527 euro), pensionet do të ulen për 7-15 përqind, një e pesta e nëpunësve shtetëror do të largohen nga puna, tregu i punës do të liberalizohet, ndërkaq shpenzimet shtetërore do të ulen në mënyrë të dukshme.

Ndërkohë që deputetët grekë shqyrtonin ligjin, Athina ishte e kapluar nga dhuna dhe zjarri. Mbi 80 persona, mes të cilëve u plagosën  30 policë, 25 persona u arrestuan në këto përleshje që konsiderohen si më seriozet në Athinë.

Në kryeqytetin grek janë regjistruar rreth 40 zjarre. U dogj një kinema e mbyllur, banka, shitore, zyre, ndërtesa dhe kafene. Plaçkitësit vodhën dhjetëra shitore.

Shumica e demonstruesve ishin të qetë, por policia hyri në përleshje me gjithsej 2.000 anarkistë me kapela të zeza, të armatosur me koteje molotovi dhe shkopinj, në dhjetëra “fronte” nëpër qytet.

Sipas policisë, paraprakisht, rreth 55.000 demonstrues u grumbulluan në mitingun protestues përpara parlamentit, të ruajtur nga mbi 3.000 policë.