Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 09:04

Athinë (PLOTESUAR 13:00)- Mijëra qytetarë grekë u mblodhën në qendër të Athinës për të protestuar kundër masave shtrënguese ekonomike, të përgatitura nga qeveria Samaras me kërkesë të Trojkës. 

Protesta është organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat, ndërkohë që qendra e Athinës është nën kordonin e policisë dhe rrugët që të lidhin me të, u mbyllën. Më shumë se 2 500 policë, ndodhen në qendër të qytetit për të parandaluar trazirat. Urdhërat e dhëna nga drejtoria e policisë janë të qarta; të shmangen incidentet dhe të ndërhyhet vetëm nëse është e domosdoshme. Në gatishmëri është makina e ujit, që do të shfrytëzohet vetëm në rast emergjence. Persona të maskuar kanë provokuar policinë duke e qëlluar me shishe Molotov, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me granata tymuese dhe kimikate. (LajmeShqip.com)

***********************************

Athinë – Sindikatat e sektorit publik dhe atij privat zhvillojnë në Greqi sot një grevë të përgjithshme që do të paralizojë gjithë vendin, si reagim ndaj masave të propozuara nga Trojka në çështjet e punësimit dhe sigurimit social.

Përveç ndërprerjes së punës, sindikatat iu bëjnë thirrje punëtorëve që të mblidhen në orën 11:00 në sheshin Pedhio tu Areos, ndërsa sindikata e komunistëve PAME do të të mbajë një tubim në orën 10:30 në Omonia, kundër ndërhyrjes së qeverisë për rregullimin legjislativ të pagave minimale, por dhe të pagave në sektorin privat, kundër heqjes së marrëveshjeve të lira kolektive të punës, reduktimit të pagave dhe rritjes së moshës për daljen në pension. 

Në grevë do të marrin pjesë nënpunësit në zyrat tatimore, në zyrat e urbanistikës së qytetit, në pushtetin Lokal dhe ndërmarrjet e shërbimeve komunale, inspektorët tatimorë, doktorët dhe infermierët, juristët, inxhinierët dhe punonjësit e bankave. Në grevë janë punonjësit e doganave dhe aeroporteve. Për shkak të ndalesës së punës së punonjësve në Shërbimin e Aviacionit Civil, nga ora 10:00 deri në orën 13:00, do të ketë ndryshime në fluturimet e avionëve. Marrin pjesë në grevë edhe punonjësit e Organizmit Grek të të Hekurudhave e Federata mbarëgreke e marinarëve. Edhe mësuesit do të marrin pjesë në grevën e përgjithshme 24 orëshe të shpallur nga GSEE dhe ADEDY. 

Protestës së sotme i bashkohet edhe Konfederata e Përgjithshme e profesionistëve, zejtarëve dhe tregtarëve, me mbylljen e bizneseve dhe dyqaneve deri në orën 15:00. Nga ora 09:00 – 21:00 sot, do të qarkullojnë autobusët dhe trolejbusët. Metroja do të funksionojë normalisht gjatë gjithë 24 orëshit, në mënyrë që të lëvizin të gjithë ata që duan të marrin pjesë në protesta.

Gazetarët dhe punonjësit e mediave të shkruara dhe audio-vizive, pas grevës 24 orëshe që zhvilluan të hënën, do të ndërpresin sot punën nga ora 11 00–15 00, kohë gjatë së cilës do të pasqyrojnë vetëm manifestimet e protestës. Ndërkohë, zgjatjen e protestave të tyre deri në datën 20 tetor 2012 kanë vendosur gjykatësit dhe prokurorët. Në të njëjtën kohë, gjatë kësaj periudhe pezullohen edhe botimet e vendimeve tyre. Gjithashtu, vazhdimin e lëvizjeve të tyre deri në fund të muajit kanë vendosur edhe farmacistët e Atikës.(LajmeShqip.com)