Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 15:12

Uashington – Shkalla e papunësisë në SHBA u rrit muajin e kaluar në 9,2 për qind, ndërsa punësimet pothuajse janë ndërprerë duke pasur parasysh se është shënuar rritja më e vogël e numrit të të punësuarve gjatë nëntë muajve të kaluar, njoftoi Ministria amerikane e Punës.

Në kumtesë thuhet se në qershor numri i të punësuarve është rritur për vetëm 18 mijë, që është numër jashtëzakonisht më i vogël nga e pritura. Numri i amerikanëve të papunë në qershor u rrit për pothuajse 175 mijë, në 14,1 milionë.

Sektori shtetëror muajin e kaluar e zvogëloi numrin e të punësuarve për 39 mijë, ndërsaq gjatë tetë muajve të kaluar numri të vendeve të punës në këtë sektor është zvogëluar për madje 238 mijë.

Shkalla e muajit të kaluar të papunësisë është për 0,1 për qind më e madhe në krahasim me majin dhe është në nivelin më të lartë nga dhjetori i vitit 2010.

Dy vite pasi që recesioni në ekonominë më të madhe në botë zyrtarisht përfundoi, kompanitë po punësojnë gjithnjë e më pak persona edhe krahas rezervave rekorde të mjeteve financiare të gatshme dhe përfitimit të mirë.

Presidenti Barak Obama deklaroi se numrat e rinj e konfirmojnë atë që shumë persona e dinë, se SHBA-ja ka para vetes rrugë të gjatë para se të arrijnë të bëjnë kthesë në gjendjen ekonomike.

Obama theksoi se sfidat me të cilat është ballafaquar ekonomia e SHBA-së gjatë dy muajve të kaluar, midis të cilave janë rritja e çmimeve të benzinave dhe katastrofa natyrore në Japoni, e cila solli deri në çrregullim në furnizimin e tregut amerikan, nuk janë krijuar mbrenda natës, e për këtë arsye edhe nuk mund të zgjidhen brenda natës.