Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 10:44

Athinë- Kryeministri grek Jorgos Papandreu bëri thirrje mbrëmë në formim të “qeverisë së koalcionit të gjerë” e cila do ta shpëtonte vendin nga kriza dhe do t’i zbatonte dispozitat e planit të BE-së për shmangie të falimentimit shtetëror.

Gjatë votëbesimit të sotëm të Qeverisë socialiste të Papandreut, rënia e së cilës do ta shtynte Evropën në një krizë të re politike, kryeministri grek me këtë e hapi mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Qëndrimi im është i qartë. Duhet menjëherë të fillojmë negociata për formim të Qeverisë të konsensusit të gjerë që ta normalizojmë situatën politike dhe ta zbatojmë marrëveshjen e Brukselit para fillimit të procedurës zgjedhore”, tha Papandreu.

Kryeministri grek në fjalimin e mbrëmshëm bëri thirrje në “bashkëpunim” mes partive politike gjatë krizës për Greqinë dhe “të ndërtohet klimë e besimit dhe përsëri të formohet stabiliteti ekonomik në vendi”.