Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 09:00

Shkup- Kryeministri i Greqisë Lukas Papadhimos pas pothuajse tre muajve u përgjigj në propozimin e kryetarit të Qeverisë së Maqedonisë Nikolla Gruevski për tet-a-tet takim.

Papadhimos Pranoi që takimi të mbahet në margjinat e takimit të ardhshëm të Këshillit evropian në fillim të muajit mars.

Siç transmeton Agjencia kombëtare e lajmeve greke ANA-MPA, Papadhimos në letër thekson se Greqia u jep rëndësi të madhe marrëdhënieve bilaterale, për çka është fakt bashkëpunimi në shumë sektorë, dhe para së gjithash në ekonomi.

Në lidhje me çështjen për emrin, Papadhimos thotë se kjo duhet të zgjidhet në kuadër të negociatave që zhvillohen me ndërmjetësim të KB-së.

“Ju inkurajoj të punoni në mënyrë konstruktive për arritjen në këtë qëllimi”, thekson kryeministri grek.

Vizita e ardhshme e ndërmjetësit të KB-së Metju Nimic në Shkup dhe në Athinë, sipas tij, duhet të kontribuojë për përparimin drejt arritjes së zgjidhjes, për çka nevojitet vullnet politik i të dyja palëve.

Greqia, shkruan Papadhimos, përpiqet për politikë afatgjate të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, si dhe për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, si bazë për arritjen e këtij qëllimi.

Athina do të vazhdojë që ta promovojë edhe “Axhendën 2014”, veçanërisht gjatë kohës së kryesimit të saj të ardhshëm me BE-në, thotë Papadhimos në përgjigjen në letrën e Gruevskit, që në muajin e kaluar në Athinë e dorëzoi zëvendëskryeministrja Teuta Arifi në takim me kolegun e saj grek Teodoros Pangalos. (LajmeShqip.com)