Lajme Shqip Friday, 22 March 2013 19:15

Vatikan – Papa Françesk, një javë pas zgjedhjes së tij në krye të Selisë së Shenjte deklaroi para ambasadorëve se është shumë e rëndësishme që të intensifikohet dialogu me besime të tjera fetare.

“Mendoj, sidomos, që dialogu me Islamin është i rëndësishëm dhe kam vlerësuar praninë e përfaqësuesve të botës islamike në meshën e fillimit të detyrës time”, thotë Papa.

Sipas Françeskut, është e rëndësishme edhe rritja e dialogut me jo besimtarët.”Eshtë i rëndësishëm dialogu mes qytetërimeve të ndryshme me një objektiv të qartë, paqen. E mira e çdo njeriu mbi këtë tokë është që të jetë në zemër të të gjitha vendeve. Ndaj shpresoj që ky është rasti për të hedhur hapat e duhur që të vendosim rrugët  diplomatike me ato pak vende që ende nuk kanë një marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, por që theksoj krerët e këtyre vendeve ishin të pranishëm në meshë, ose kishin dërguar përfaqësuesit e tyre”, tha Papa.

Ati i Shenjtë më pas i kujtoi ambasadorëve: “Siç e dini, familja ime ka origjinë italiane dhe kështu në shpirtin tim është gjithnjë i gjallë dialogu mes vendeve dhe kulturave të ndryshme”.(T.CH/LajmeShqip.com)