Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 08:01

ATHINE – Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos deklaroi se “politika e Ministrisë së punëve të Jashtme greke është caktimi i kufijve të zonave detare, përfshirë zonat ekskluzive ekonomike, me fqinjët”, gjë që sipas tij i shërben konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajon. Këtë deklaratë ministri e bëri në parlament, ndërsa diskutohej projektbuxheti i vitit 2013. 

Avramopulos pohoi se situata në Greqi është më kritikja që pas Luftës II Botërore, por theksoi se kriza që po kalon vendi nuk duhet të sjellë paqëndrueshmëri kombëtare. “Ballkani i tronditur nga e kaluara dërgon mesazhe kërcënuese”, tha ministri, i cili vërejti se në rajon është ringjallur shovinizmi, ndërsa akuzoi sërish fqinjët veriorë për qëndrime nacionaliste. “Sot, kriza, lodhja dhe mungesa e përparimit në çështje kritike, nxjerr përsëri në pah qëndrimet nacionaliste dhe populiste të fqinjëve tanë veriorë, në fusha mjaft të ndjeshme. Greqia lufton të mbetet larg sindromit ballkanik të së shkuarës dhe të jetë gjithmonë një shtyllë e fortë sigurie, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s”, u shpreh ai. 

Ministri grek deklaroi se vendi i tij “lufton për të ndihmuar shtetet fqinje në përparimin e tyre drejt integrimit europian, duke mos bërë lëshime substanciale në reformat thelbësore, që duhet të bëhen për demokracinë, për respektimin e rregullave të fqinjësisë së mirë dhe për zhvillimin e balancuar të marrëdhënieve dypalëshe”. 

Duke përmendur projektin e gazsjellësit TAP, Avramopulos deklaroi se “iniciativat energjetike do ndryshojnë ekuilibrat në rajon dhe se TAP përbën një hap me rëndësi për sektorin energjetik të Greqisë”. 

Ministri i Jashtëm Avramopulos tha në përfundim, se Presidenca greke e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, do të përfshijë ndër të tjera si prioritet të ardhmen e Gadishullit Ballkanik në Evropë.(LajmeShqip.com)