Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 09:37

Hagë – .

Marija Telalian, këshilltare juridike në MPJ-në e Greqisë, në cilësinë e përfaqësueses së Athinës, dje, në ditën e parë të paraqitjes së kundërargumenteve greke para Gjykatës, tha se Greqia nuk e ka bllokuar aplikimin e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, përkatësisht nuk e ka shkelur nenin 11 sepse Maqedonia e ka parashtruar aplikimin nën emrin kushtetues. Sipas saj, neni 11 përmban dispozitë mbrojtëse dhe i jep të drejtë Greqisë të bëjë ankesë nëse vendi aplikant i drejtohet ndryshe nga referenca e përkohshme.

“Maqedonia ka bërë kërkesë për antarësim në NATO nën emrin e saj kushtetues, e cila kontestohet nga ne, edhe përkundër obligimeve për të mos e bërë atë, me çka janë plotësuar të gjitha kushtet për reagimin tonë si Greqi” tha  Maria Telalian, këshilltare juridike në MPJ-në greke.

Sipas saj, parashtruesi i padisë po përpiqet ta paraqesë kontestin për Marrëveshjen kohore se është i ndarë nga kontesti për emrin. Bëhet fjalë për vendim që e ka sjellur Aleanca dhe ani nuk mund të ndahet nga çështja për emrin apo nga shkeljet e ndryshme, që, sipas saj, i ka kryer parashtruesi.

Ajo theksoi se ajo që ka çuar deri te ky kontest është qëndrimi këmbëngulës i parashtruesit, shfrytëzimi i taktikave që të zgjatet zgjidhja dhe të imponohet “emër i ndaluar”, ndërsa lëshimet e vetme janë formula e dyfishtë, përdorimi i emrit kushtetues në organizatat ndërkombëtare, ndërsa emri i dakorduar në marrëdhëniet bilaterale.

Telalian u përqëndrua edhe në historinë e kontestit për emrin, edhe për, sipas tyre shkeljen e Marrëveshjes kohore nga ana e Maqedonisë me përdorimin e, siç tha, Diellit nga Vergina dhe simboleve të tjera të historisë dhe kulturës greke, me mosmbajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe se akoma ka pretendime territoriale.

Ambasadori grek Jorgos Savaidisi, gjithashtu përfaqësues i Greqisë para Gjykatës, në paraqitjen e tij tha se vendimi në Samitin e NATO-së në Bukuresht në vitin 2008 për të mos e pranuar Maqedoninë në këtë aleancë, njëzëri është miratuar nga të gjitha vendet anëtare të NATO-së dhe nuk ka qenë vendim ekskluziv i Greqisë. Ky fakt, sipas Savaidisit, ka qenë i njohur edhe për kryeministrin Gruevski.‘Më datë 23 janar 2008 përfaqësuesit e përhershëm të NATO-së shqyrtuan raportin më të ri të planit aksional për antarësim të Maqedonisë.

Ekipi i juristëve të Maqedonisë të cilët të hënën dhe të martën i prezantuan argumentet e tyre theksuan se Greqia e shkeli Marrëveshjen kohore të vitit 1995 dhe kundërargumentet e saj me të cilat e mohon janë të pabaza. Për këtë arsye, theksuan, Gjyqi duhet të miratojë aktgjykim me të cilën do ta konfirmoj këtë dhe do t’i urdhërojë Greqisë që menjëherë t’i ndërmerr të gjitha hapat e nevojshme për respektimin e obligimeve nga neni 11, gjegjësisht të mos e pengojë aplikimin e Maqedonisë për anëtarësim në NATO pasi do të ripërtërihet.

Profesori Pjer Klain nga Universiteti “Libre” në Bruksel, në paraqitjen e tij nënvizoi se nuk qëndrojnë argumentet e Greqisë sipas të cilave lëndë e kësaj materie është vendimi i NATO-s në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008.

“Në fund të ditës është me rëndësi është nëse janë plotësuar kushtet për anëtarësim. Lëndë e kësaj materie nuk është vendimi i NATO-s por vendimi i Greqisë që ta bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë i cili ishte sjellë para Samitit të Bukureshtit. Bllokada ishte paralajmëruar, madje ka pasur edhe lëvdata të politikanëve grekë për atë, që paraqet shkelje të nenit 11 të Marrëveshjes kohore.

Ai theksoi se Maqedonia nuk klrkon ndryshim të vendimit të NATO-s por të konfirmohet shkelja e nenit 11 nga Marrëveshja kohore.

Kundërargumentet greke se Maqedonia është ajo e cila e ka shkelur Marrëveshjen kohore janë të pabaza tha edhe profesoresha franceze Zhenevjev Bastid Burdo, se nëse është ashtu, atëherë Greqia nuk duhej të presë deri më tani, por mundej edhe më herët të parashtrojë padi.

Në fjalimin hyrës në debatin gojor ministri i Punëve të Jashtme dhe përfaqësues i Maqedonisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Antionio Miloshoski theksoi se rasti është i thjeshtë dhe i qartë se marrëveshjet duhet të respektohen.

Greqia sot do të përfundojë me argumentimin e vet para Gjykatës në Hagë. Faza e dytë e debatit gojor do të mbahet më 28 mars, kur ekipi që do ta prezantojë Maqedoninë do të ketë mundësi të përgjigjet gojarisht ndaj mbrojtjes së Greqisë, ndërsa debati publik do të rrumbullakësohet më 30 mars me fjalën përfundimtare të palës greke.

Gjykata do të vendosë për ankesën pas përfundimit të ballafaqimit gojor, gjegjësisht pas 30 marsit, ndërsa aktgjykimi pritet të miratohet para ose pas pushimeve verore, më së voni deri në vjeshtë. Aktvendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë përfundimtare dhe obliguese për vendet-anëtare të KB-së, gjegjësisht për palët e involvuara në kontest.

Aplikacionin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Greqisë, Maqedonia e dorëzoi në nëntor të vitit 2008 me ç’rast pasuan dy parashtresa të mëdha me shkrim gjegjësisht memorandume nga 20 qershori i vitit 2009 dhe 9 qershori i vitit 2010. Pala greke madje, u bashkangjiti memorandume – përgjigje parashtresave të Maqedonisë edhe atë më 20 janar të vitit 2010 dhe më 27 tetor të vitit të njëjtë.