Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 13:49

Shkup – Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), njëherësh dhe kryetar i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, ka shfaqur interesim për bashkëpunim partiak të RDK-së me partinë e kryeministrit Taip Erdogan, në kuptim të aftësimit të një grupit të të rinjve të RDK-së drejt organizimit, avancimit dhe profilizimit të partisë.

Ai këtë e ka bërë të ditur në takimin e të mërkurës mbrëma me ministrin e Arsimit të Turqisë, Omer Binçer, si rezultat i iftarit të përbashkët që u shtrua në këtë komunë, ku të pranishëm kanë qenë edhe deputeti nga radhët e RDK-së, Izet Zeqiri, ministri pa resor në Qeverinë e RM-së Hadi Neziri, deputetë në parlamentin e Turqisë dhe personalitete të tjera politike, shoqërore dhe fetare nga Maqedonia dhe Turqia.

“Sektori i biznesit të vogël dhe të mesëm është një mundësi e mirë për investime ku fuqia e lirë punëtore dhe taksat e ulëta komunale krijojnë përparësi investive në rajonin e Pollogut”, ka thënë Osmani.

Ai ka potencuar nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë në lëmin e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe të infrastrukturës në mes të qeverisë së Turqisë dhe institucioneve arsimore në gjuhen shqipe dhe turke në Maqedoni. Si lëmi të mundshme të bashkëpunimit Osmani ka përmendur investimet turke në arsimin fillor, të mesëm dhe universitar në sektorin publik dhe privat, ndarja e bursave për studentë dhe nxënës të dalluar dhe donacione për publikimin e librave dhe të hulumtimeve të shkencëtarëve të rinj.

Ministri turk shprehu kënaqësi të veçantë për mikpritjen bujare dhe për idetë e bashkëpunimit të ofruara nga kryetari Osmani dhe e ftoi atë që me një delegacion të RDK-së të bëjnë një vizitë pune në Ministrinë e Arsimit dhe në degën e AK në Stamboll. (LajmeShqip.com)