Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 12:02

Oslo – Policia norvegjeze tha se i akuzuari për organizimin e sulmeve në Norvegji thotë se ka vepruar i vetëm. Autoritetet e rendit janë në verifikim të pretendimeve të dëshmitarëve, të cilat sugjerojnë se bëhet fjalë për një ose më shumë sulmues.

Të paktën 85 persona janë qëlluar për vdekje në një takim rinor të Partisë Laburiste në ishullin Utoja, vetëm pak orë pasi shtatë persona humbën jetën nga shpërthimi i bombës në ndërtesat qeveritare në Osllo.

Ushtruesi i detyrës së shefit të policisë, Sveinung Sponhajm, tha se i dyshuari Anders Bering Breivik e ka pranuar përgjegjësinë për të dy incidentet, por është përpjekur të distancohet nga hetimi penal.

****************************************************

Oslo – Avokati i njeriut të dyshuar për kryerjen e sulmeve në Norvegji tha se klienti i tij e ka pranuar përgjegjësinë për vrasjet.

Geir Lipeshtad nuk ka dhënë detaje në lidhje me motivet e mundshme që mund ta kenë çuar Anders Bering Breivikun në shkaktimin e dhunës.

“Ai (Breiviku) thotë se beson që veprimet ishin barbare, porse në kokën e tij ato ishin të nevojshme”, tha Lipeshtad.

Breivik, 32 – vjeç, u arrestua nga policia të premten, pasi dyshohet se ka qëlluar për vdekje të paktën 85 persona në një takim rinor të Partisë Laburiste në ishullin Utoja, si dhe për shpërthimin në ndërtesat e qeverisë në Oslo, ku humbën jetën 7 persona.

Breivik është përshkruar si fundamentalist i krishterë i krahut të djathtë, me pikëpamje anti-myslimane. Hetuesit janë duke hulumtuar nëse ai është autor i një dokumenti 1,500-faqesh që është postuar në internet, e që përshkruan planifikimin e sulmit.

Breivik pritet të paraqitet para gjyqit ditën e hënë.