Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 19:11

Pas miratimit të Ligjit për Stabilitetin Financiar nga Dhoma e deputetëve të Parlamentit italian, kryeministrit Silvio Berluskoni do t’i duhet të ngjitet në pallatin Quirinale për të dhënë dorëheqjen.

Mediat italiane bëjnë me dije se, të dielën, Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano do të vijojë konsultimet për të ngarkuar brenda ditës, kryeministrin e ri italian, i cili do të duhet të zgjedhë qeverinë e re teknike, që do të drejtojë Italinë deri në zgjedhjet e parakohshme.

Deri më tani emri i vetëm i përfolur dhe më i mundshmi për t’u ngarkuar për krijimin e qeverisë së re është ai i Mario Montit, porse Umberto Bossi, i Legës së Veriut ka deklaruar se partia e tij do t’i bëjë opozitë qeverisë së tij.

“Ne do të dalim në opozitë. Si mund të mbështetësh një qeveri, që do të na marrë gjithçka, që do të privatizojë dhe monopolizojë gjithçka”, deklaroi duke dalë nga pallati Montecitorio, lideri i Legës së Veriut, Umberto Bossi.

Dhoma e deputetëve e miratoi Ligjin e Stabilitetit me 380 vota pro, 26 kundër dhe 2 abstenim.

Menjëherë pas votimit, ministri italian i Financave, Giulio Tremonti deklaroi se parlamenti votoi për një buxhet të balancuar, pra për një barazi mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Tremonti, duke e cilësuar një vendim historik këtë të sotmin, të ngjashëm me atë të 125 viteve më parë.

“Kjo”, tha ai, “është një gjë shumë e mirë për Italinë”.

Ndërkohë pas votimit të ligjit të Stabilitetit në sallën e Parlamentit, kavalieri italian shkoi direkt për në pallatin Chigi.

Më herët, senatori i ri, Mario Monti, pas disa orësh pushim në një hotel në Romë, pati një takim kokë më kokë në zyrën e tij në pallatin Giustiniani, për mbi një orë, me Presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, më pas me Pierluigi Bersanin dhe Enrico Letta, ndërkohë që drekoi në pallatin Chigi me kryeministrin Berluskoni në prani të zëvendëssekretarit të qeverisë, Gianni Letta dhe sekretarit të PDL, Angelino Alfano.