Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 23:23

Shkup – Projekti qeveritar “Shkupi 2014”, ka qenë shkak për përplasjen e të shtunës midis rivalëve politikë maqedonas, LSDM e VMRO-DPMNE.

Partia e Cërvenkovskit ka pyetur se në bazë të cilave kritere partia në pushtet ka bërë përzgjedhjen e autores për bustin e Aleksandrit të madh dhe Portës Triumfale, e cila sipas tyre, qytetarëve u ka kushtuar 2 milionë e 750 mijë euro dhe me këtë autorja Valentina Stefanovska është bërë skulptorja më e paguar në Maqedoni dhe më gjerë.

Por, VMRO-DPMNE i ka cilësuar të thënat e LSDM-së si gënjeshtra dhe, sipas kësaj partie, e vërteta është se objektet për të cilat flet nënkryetarja e LSDM-së, Ana Pavllovska-Daneva janë zbatuar në procedurë transparente.
“Gjatë dy viteve të kaluara pushteti nga qytetarët e tij ka marrë 2 milion e 750 mijë euro për përmendore të cilat akoma nuk janë ndërtuar. Për këtë biznes të pushtetit, Enti Shtetëror i Revizionit e ka konstatuar si punë joligjore dhe jotransparente nënshkrimin e marrëveshjeve në katër sy dhe rritjen në mënyrë të pakulturuar të honorareve të autorëve të projektit ‘Shkupi 2014’.

Pyesim zotin Gruevski se në bazë të cilave kritere është bërë përzgjedhja e autores së Aleksandrit dhe të Portës Triumfale, për çka janë paguar 2 milion e 750 mijë euro”, ka thënë Pavllovska-Daneva.
“Shihet qartë se LSDM-ja i shqyrton raportet e Entit Shtetëror të Revizionit ashtu siç ajo dëshiron që të jenë. Ne jemi të sigurt se të gjitha procedurat janë në pajtueshmëri me ligjet dhe, njëkohësisht, potencojmë dhe apelojmë e, në rast se dikush mendon ndryshe, ka në dispozicion dokumentacionin e plotë”, thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.

Nga kjo parti e akuzojnë liderin opozitar Cërvenkovski, se gjatë gjithë karrierës së tij politike nuk ka bërë asgjë të mirë për shtetin dhe për vetë qytetarët. (Lajmeshqip.com)