Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 08:53

Shkup – Eurokomisari Shtefan Fyle është i ftuari i nderit i cili do të mbajë fjalim në Konferencën Nacionale për Marrëveshjen e Ohrit e cila mbahet të hënën në organizim të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO).

Konferenca është pjesë e ngjarjeve që organizohen në Maqedoni, për të shënuar 10-vjetorin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit (MO). Përpos Fyles, në Konferencë fjalime do të mbajnë edhe kryeministri Nikolla Gruevski, Zëvendëskryeministri për MO-në, Musa Xhaferi dhe Zëvendëskryeministrja për Çështje Evropiane, Teuta Arifi.

“Qëllimi i Konferencës është që të vlerësojë arritjet e implementimit 10-të vjeçar të MO-së, si një pjesë përbërëse e rendit kushtetues dhe juridik të Maqedonisë dhe një gur themeli i shoqërisë multietnike të Maqedonisë, si dhe për të hedhur dritë mbi hapat dhe rekomandimet e ardhshme për implementimin e saj të vazhdueshëm, sidomos vis-a-vis rëndësisë, rolit dhe kontributit të ndërlidhur që MO-ja dhe procesi i integrimit evropian kanë për të ardhmen e begatshme të vendit”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Edhe pse të ftuar, liderët e opozitës shqiptare dhe maqedonase nuk do të marrin pjesë, por do të kenë përfaqësuesit e tyre.

“Shenasi Saliu do të merr pjesë në këtë konferencë nga radhët e partisë tonë”, ka lajmëruar zëdhënësi i Rilindjes Demokratike Shqiptare (RDK), Armir Ramadani. Ndërkaq, nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) kanë lajmëruar se askush nuk do të merr pjesë në evenimentin e ditës së hënë sepse nuk kanë marre ftesë.

“Deri më tani neve nuk na ka ardhur ftesa për këtë eveniment. Mirëpo ju e dini qëndrimin e PDSH-së në lidhje me implementimin e MO-së. Më e reja është se përpos të tjerave ajo shkelet edhe në arsim”, ka thënë zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati. “Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Andrej Petrov do të përfaqësojë partinë tonë”, ka informuar zëdhënësi i LSDM-së, Emilijan Stankoviq.

Pritet që Konferenca të ketë fokus mbi reformat e decentralizimit, të cilat kanë filluar një dekadë më parë, pas nënshkrimit të MO-së. Më tej, gjatë panelit të nivelit të lartë ekspertë të njohur dhe përfaqësues nga institucionet dhe organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, do të marrin iniciativën rreth diskutimit të sfidave dhe përvojave pozitive nga implementimi i MO-së, reformave të decentralizimit dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Mes tyre janë Richard Hovit raportues në Komisionin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Jorgos Shacimarkakis si dhe An Marie Ali, zëvendëse e Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së.

Përndryshe, SIMO ende nuk e ka përgatitur raportin për punën e këtij Sekretariati, ecurinë e implementimit të MO-së dhe atë deri ku ka arritur përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve dhe nacionaliteteve të tjera nëpër institucionet e shtetit, gjë që Komisioni Evropian (KE) në raportin e vitit të kaluar e kishte notuar si negative për shkak të mos përgatitjes së tij.