Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 19:30

Bruksel – Pesë vende, të cilave, sipas ligjeve të reja evropiane u kanosen dënime, duhet të presin deri në janar në mënyrë që të marrin vesh nëse uljet e buxheteve për vitin 2012 janë të mjaftueshme që të evitohen sanksionet, deklaroi sot eurokomisari për çështje ekonomike dhe monetare, Oli Ren.

Ren muajin e kaluar e paralajmëroi Belgjikën, Qipron dhe Maltën, si vende të eurozonës, dhe Hungarinë dhe Poloninë nga BE-ja, se deri nga mesi i dhjetorit duhet t’i kumtojnë masat e reja që do të sigurojnë respektimin e afatit për përmirësim të deficiteve tej mase”, transmetuan agjencitë.

“Të gjitha pesë vendet prej atëherë ndërmorën hapa për mënjanimin e deficiteve të tejkaluara dhe ulje të borxhit”, tha Ren në prag të hyrjes në fuqi të të ashtuquajturit “pako masash” për përforcim të disiplinës buxhetore.

“Meqenëse këto hapa akoma janë mjaft të freskëta dhe nuk janë të saktësuara, do të ishte e përshpejtuar të sjell konkludime përfundimtare për atë nëse hapat e ndërmarrë janë të mjaftueshëm. Atë mendim do ta dimë në fillim të janarit, por siç po shihni, sistemi i ri tashmë po sjell rezultate”, theksoi Ren.