Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 10:30

Uashington-Rusia dhe Kina vendosën përsëri veton për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë që do të dënonte shtypjen pothuajse një vjeçare të protestave antiqeveritare nga Presidenti Bashar al-Asad.

Këshilli 15 anëtarësh votoi për një rezolutë të mbështetur nga perëndimi dhe vendet arabe që dënonte dhunën dhe i bënte thirrje zotit Assad që të jepte dorëheqjen.

Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice i tha Këshillit të Sigurimit se Shtetet e Bashkuara ndjejnë neveri nga votat kundër të Rusisë dhe Kinës që bllokuan rezolutën.

Diskutimet në Kombet e Bashkuara në Nju Jork pasuan orë të tëra zjarri artilerie dhe mortajash nga forcat siriane të sigurisë në qytetin Homs. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se mbi 200 vetë u vranë nga veprimet e qeverisë së Assadit.

Presidenti amerikan Barack Obama i kërkoi këshillit që mbajë qëndrim ndaj “brutalitetit të pareshtur” të Presidentit sirian Bashar al-Assad para votimit të Këshillit të Sigurimit për një rezolutë mbi dhunën në Siri. Zoti Obama u shpreh në një deklaratë sot se i dënon “sulmet e tmerrshme” të zotit Assad. Ai i bëri thirrje udhëheqjes siriane të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën tranzicionit demokratik.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kishte thënë sot në Mynih se do të ishte skandaloze që të hidhet sot në votë rezoluta e mbështetur nga perëndimi, ndërsa ambasadori gjerman në OKB Peter Wittig tha se do të ishte skandaloze që të mos ndërmerret veprim ndaj dhunës së përkeqësuar në Siri.

Lavrov u takua sot me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton në Mynih. Agjencia e lajmeve Reuters thotë se të dyja palët ishin të një mendjeje që situata në Siri ishte urgjente, por nuk thanë nëse ishte shënuar ndonjë përparim në bisedime.