Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 13:46

NEW YORK – Palestina u anëtarësua dje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me statusin e “vëzhguesit” pas përpjekjeve shumëvjeçare për t’u njohur nga kjo organizatë. 138 shtete votuan “pro”, 41 abstenim dhe vetëm 9 “kundër” vendimit për Palestinën. 

Shqipëria dha një votë abstenuese. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ishin kundër vendimit që “de facto” e njeh Palestinën si shtet më vete. Liderët palestinezë e përshëndetën votimin, ndërsa izraelitët u shprehën se ai shënon një hap mbrapa në përpjekjet për paqen në rajon. “Asnjë votim nuk mund ta thyejë lidhjen 4 mijë vjeçare mes popullit të Izraelit dhe tokës së Izraelit”, tha kryeministri Beniamin Netanjahu. Abstenim votuan vende të tjera të rajonit si Mali i Zi apo Maqedonia. 

Presidenti palestinez Mahmud Abbas deklaroi se statusi i ri jep shansin e fundit për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Abbas deklaroi se agresioni izraelit obligon ndërkombëtarët të jenë në anën e Palestinës. 

Palestinezët shpresojnë që statusi i ri në OKB të ndryshojë marrëdhëniet e tyre me Izraelin.(LajmeShqip.com)