Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 15:08

Gjenevë – Numri i civilëve të vrarë në Siri në shuarjen e protestave kundër regjimit të Bashar al Asadit me siguri arriti 850 persona, ndërsa mijëra demonstrues u arrestuan, kumtoi zyra e KB-së në Gjenevë për të drejtat e njeriut.

“Përsëri i bëjmë thirrje qeverisë në Siri që të tregojë përmbajtje, që të ndaloj me përdorimin e forcës dhe arrestimet masive kundër opozitës”, deklaroi në pres-konferencë Rupert Kolvil, zëdhënës i komisarit të lartë të KB-së për të drejtat e njeriut, cituar nga agjencitë botërore.

Ai precizoi se sipas të dhënave të organizatave të ndryshme për mbrojtje të së drejtave të njeriut dhe aktivistë forcat siriane për siguri gjatë kohës së protestave kanë vrarë 700 dhe 850 persona.

“Konsiderojmë se të dhënat janë reale”, shtoi zëdhënësi.

Zyra e komisarit të lartë të KB-së për të drejtat e njeriut është e gatshme që në Siri të dërgojë misionin e saj, i cili në vendin e ngjarjes do t’i hulumtojë faktet menjëherë pasi të marrë miratim nga autoritetet, kumtoi Kolvil.

Zëdhënësi shprehu shqetësim nga arrestimet dhe keqtrajtimet e disidenteve në Bahrein, duke përfshirë edhe vdekjen e katër personave të paraburgosur. Ai theksoi se Jemeni u dakordua që në fund të muajit qershor të pranojë një mision të KB-së.