Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 18:02

Ohër – Konferenca ministrore rajonale “Menaxhimi i integruar me pellgjet e lumenjve-Platformë për shkëmbimin e përvojave” e organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë, ka ulur bashkë për herë të parë në nivel ministror Serbinë dhe Kosovën.

Ministri kosovar Dardan Gashi dhe ai nga Serbia Oliver Duliç, të shoqëruar nga kolegët e tyre nga Maqedonia dhe Shqipëria, Nexhati Jakupi dhe Fatmir Mediu kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët me të cilën vendet e rajonit zotohen të mbrojnë pellgjet e lumenjve nga ndotja e tyre.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të lartë nga ministritë kompetente greke dhe italiane, por edhe nga Komisioni Evropian (KE) dhe nga Kombet e Bashkuara (KB).
Pjesëmarrësit kanë përshëndetur prezencën e përbashkët të ministrave nga Kosova dhe Serbia.

“Është një mesazh jashtëzakonisht i fuqishëm, që në vete do të thotë se problematikat, temat e ambientit jetësorë nuk njohin kufij dhe dallime politike dhe unë shpresoj që ky rast të jep një refleks një mesazh politik pozitiv dhe të fuqishëm edhe në sektorët dhe çështjet tjera në mes këtyre dy vendeve por edhe në vendet tjera të rajonit”, deklaroi ministri Nexhati Jakupi.
Dardan Gashi, ministër i Ambientit të Jetesës në Kosovë, tha se ata mbështesin fuqishëm deklaratën e firmosur Maqedoni-Kosovë-Shqipëri-Serbi, për menaxhim me ujërat, ndërsa rasti që të takohen me homologun serb, e ka vlerësuar jashtëzakonisht pozitiv.

“Kosova fuqimisht e mbështet deklaratën që të hënën u miratua këtu. Për Kosovën ishte një rast i mirë ti bashkëngjitet kësaj iniciative rajonale që Kosova të përforcojë marrëdhëniet bilaterale me vendet fqinj po ashtu edhe një rast i mirë që të takohemi edhe me kolegun nga Beogradi që të shikojmë edhe bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e mbrojtjes dhe mjedisit, pasi ambienti jetësor është diçka që duhet të largohet nga politika dhe të shihet si komponentë në vete. Kosova e ka shfrytëzuar këtë konferencë si shumë të tjera, që ta përforcojë pozitën e saj ndërkombëtare”, tha Gashi.

Ministri shqiptar Fatmir Mediu theksoi se ka ardhur koha që Shqipëria dhe Maqedonia të nënshkruajnë një marrëveshje të re për ujërat.

“Pika që mendoj se është shumë me rëndësi për Maqedoninë dhe Shqipërinë, ne duhet të shikojmë marrëveshjen në fushën e ujërave që është shumë e vjetër, dhe besoj që në kuadër duhet të shikohen edhe detyrat e obliguara si dy vende në interes të qytetarëve tanë dhe vendeve që i përfaqësojmë, por sidomos në bashkëpunimin e rreziqeve të mëdha që vijnë nga përmbytjet, apo thatësira që afektojnë në të dyja vendit” tha Mediu.

Ndryshe, konferenca duhet të nxis dialog dhe të ndihmojë në vendosjen e platformës së përbashkët për miratimin e parimeve legjislative dhe politike, me të cilat promovohet mbrojtja e ujërave.

Pjesëmarrësit në konferencë kanë bërë thirrje të posaçme bashkësisë ndërkombëtare të kuptojë nevojën për sigurimin e mbështetjes financiare për rajonin e Ballkanit me qëllim që të intensifikohet veprimtaria e përbashkët.