Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 14:15

Ohër – Ish-ambasadori Filip Riker në ditën e dytë të konferencës lidhur me Marrëveshjen e Ohrit ka siguruar se nuk do ketë ndryshim të kufijve në rajon.
Të jemi të sigurt se nuk do ketë kurrfarë ndryshim të kufijve dhe proceset në këto treva, si Rambuje e të tjera, do të ndihmojnë për gjithë, por edhe për ju në Maqedoni e rajon, që të shihni se ardhmëria megjithatë varet nga ju”, ka thënë Riker.

“Jemi në shekullin e XXI dhe Marrëveshja e Ohrit është një simbolikë e saj. Nuk ka kurrfarë arsyesh që të pengohet kjo rrugë, kjo paqe dhe të mos punohet më tej. Uashingtoni dhe Brukseli mund të ndihmojnë, por më shumë kjo varet nga ju. Keni fat që keni MO-në po dhe SHBA-të për atë që keni arritur. Ohri është model për shekullin XXI”, ka shtuar më tej Riker.

Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë duhet të jenë krenarë që  penguan përvojat e disa rasteve në rajon, si Bosnja apo të tjera. “Në interes të gjitha komunniteteve është që të ruhet fryma e MO-së. Pra, ajo që të bëni kompromis rreth diçkaje”, ka thënë nga ana tjetër  ish-ambasadori i BE-së në Shkup, Piter Sorensen.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës ambasador i SHBA-ve në Shkup, Rajan Ageler, ka thënë se nëse flasim për MO-në, duhet të kihet parasysh edhe ajo që Xhaferi liferoi mbi transparencën për ndarjen e resurseve, por edhe të sundimit të së drejtës mbi qytetarët, është me rendësi esenciale.

“Jam i bindur se suksesi do të varet nga politikat të cilat do t‘i miratojmë në vendin tonë, shpresoj se të gjithë do të kontribuojnë në afrimin e vendit në strukturat euroatlantike”, ka thënë shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Poposki. Ndryshe, sipas ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi, “Marëveshja e Ohrit i garantoi Maqedonisë një stabilitet afatgjatë , ajo e shpëtoi vendin nga lufta e përgjakshme, e cila rezikonte të ardhmen e këtij shteti”. (LajmeShqip.com)