Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 19:43

Shkup – Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov sot dhe nesër, në Ohër, është nikoqir i takimit të tretë rajonal të presidentëve të rajonit. Në takim marrin pjesë kolegët e tij nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi –  Bamir Topi, Atifete Jahjaga dhe Filip Vujanoviq.

Qëllimi i takimit, tashmë tradicional, është mirëmbajtja e dialogut në nivel më të lartë midis vendeve fqinje, në kuadër të perspektivës së përbashkët euroatlantike. Sferat e diskutimit dhe të veprimit të përbashkët janë të lidhura me temat e integrimit në BE dhe NATO, të cilat duhet t’i lehtësojnë këto procese – përforcimi i proceseve demokratike dhe reformuese, bashkëpunimi i rritur ekonomik dhe nxitja të investimeve rajonale, lidhjet infrastrukturore dhe energjetike, bashkëpunimi ndërkufitar në luftën kundër krimit.

Mesazhin që do ta dërgojë “katërshja”, deri në Bruksel dhe kryeqytetet evropiane, është se Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi ndajnë vlera evropiane dhe vizion identik për ardhmërinë.

Prioritet i lartë për katër vendet është integrimi i përshpejtuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërsa realizimi i këtyre qëllimeve strategjike është i mundur vetëm me bashkëpunim intensiv bilateral, por edhe më e rëndësishme, me bashkëpunim rajonal.

Darko Kostadinovski, këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit, ka thënë se Ivanov do të nënvizojë se katër vendet dinë të sillen në mënyrë evropiane, gjë që është posaçërisht e rëndësishme, duke i pasur parasysh problemet me të cilat unioni ballafaqohet dhe sfidat për zgjerim.

Pas takimeve në Vlorë në vitin 2009 dhe Prizren në vitin 2010, ka shtuar Kostadinovski, është koha që deklarativiteti të shprehet në aksion dhe i inspiruar nga rezulatet dhe suksesi që i arritën vendet e Grupit të Vishegradit (Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia), edhe vendet e rajonit do të angazhohen për strukturim dhe përforcim të kësaj iniciative rajonale.

Në Samitin në Ohër, presidenti Ivanov kolegëve të tij do t’ua propozojë listën më të gjërë të mundësive për përforcim të bashkëpunimit rajonal, dhe do të apelojë në formë të konkluzioneve joformale që të përcaktohen prioritetet në të cilat do të përqendrohet bashkëpunimi në periudhën deri në takimin e ardhshëm.

“Prej tani duhet ta trasojmë vizionin për vendet tona, për rajonin në vitin 2050 dhe për këtë arsye tani është momenti kur vendet duhet të paraqiten bashkërisht para institucioneve financiare ndërkombëtare për projekte të tilla”, ka thënë Konstadinovski. (LajmeShqip.com)