Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 14:20

Londër- Ministri britanik për Marrëdhëniet mes Qeverisë dhe Parlamentit, Endrju Miçell, ka dhënë dorëheqje pas javësh të tëra presioni për shkak të një debati me oficerët e policisë në Dauning Strit.

Miçell ka pranuar se ka sharë oficerët gjatë incidentit, por sërish ka mohuar se i ka quajtur policët “të pagdhendur”.Ai i tha kryeministrit Dejvid Kameron, që ka qëndruar pranë tij, se “figura e keqe” do të thotë se ai nuk mund ta kryejë më detyrën e tij.

Dorëheqja e Miçell është një fitore për Federatën Policore dhe Laburistët, që i kishin bërë vazhdimisht thirrje për t’u larguar.

Por kjo do të thotë në të njëjtën kohë fundi i një karriere 25-vjeçare në politike për Miçell, që u ngrit në detyrë në shtator, pas një riformatimi të qeverisë. Redaktori politik i BBC, Nik Robinson deklaroi se Miçell ia komunikoi vendimin kryeministrit personalisht, në rezidencën e Kameron në Çekuers.

Nga ana e tij, shefi i qeverisë e pranoi dorëheqjen. Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve,  Xhorxh Jong do të jetë shefi i ri i Ministrisë, ka njoftuar gjatë mbrëmjes Dauning Strit. (LajmeShqip.com)