Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 15:17

Shkup -Organizata OBRIE përshëndet nismën e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha për dhënien e shtetësisë për çdo shqiptar. Problemi zgjidh edhe fatin e shqiptarëve “apatrid” në Maqedoni.

Sipas OBRIE (Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane) edhe nëse kjo nismë interpretohet si manovër elektorale ajo është shumë domethënëse, sidomos për shqiptarët e Kosovës të cilët e kanë të kufizuar lirinë e lëvizjes.

“Me këtë iniciativë kryeministri shqiptar përfundimisht po shemb murin e shengenit edhe për kosovarët të cilët kanë kaluar peripeci të shumta pranë ambasadave të vendeve evropiane me një krah letrash dhe dokumentesh nën sqetull, në kërkim të një të ardhme më të mirë, ajo që u mungon në vendin e tyre. Kosovarët nuk do të kenë më nevojë të paguajnë mijëra euro ndërmjetësuesve për të tu pajisur me shtetësinë serbe për arsye të ndryshme shëndetësore për biznes si dhe për një perspektivë më të mirë drejtë vendeve të Bashkimit Evropian”, vlerëson organizata OBRIE me qendrën e saj në Shkup.

Sipas kësaj organizate, formalizimi i kësaj nisme në përgjithësi ka efekt pozitiv në shumë dimensione për faktin se mundëson lehtësimin e komunikimit ndërshqiptar në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Ajo ndikon direkt pozitivisht, në zhvillimin tregut, biznesit, edukimit dhe për një shoqëri më të hapur civile në Kosovë, faktorë të cilët edhe ndikojnë në përgjithësi në procesin e reformimit dhe stabilizimit të rajonit”, thuhet në komunikatën e OBRIE-s.

OBRIE konstaton se nisma e kryeministrit Berisha do të jetë zgjidhje edhe për shqiptarët e Maqedonisë të cilët njihen si apatrid pasi nuk e gëzojnë shtetësinë e këtij shteti.

“Problemi i mungesës së shtetësisë për mijëra shqiptarë në Maqedoni ka vite që nuk ka gjetur zgjidhje nga përfaqësuesit e tyre politik në këtë shtet. Janë shifra të ndryshme që qarkullojnë lidhur me këtë problem, ndërsa jo zyrtarisht burime partiake bëjnë të ditur se mbi 50 mijë shqiptarë vazhdojnë ende të përballen me mospasjen e nënshtetësisë së Maqedonisë. Ligji për regjistrimin e popullsisë nuk ka të definuar këtë kategori të qytetarëve, të cilët në fjalorin juridik ndërkombëtar njihen si “apatrid” apo qytetarë pa shtetësi, të cilët janë zhveshur nga të gjitha të drejtat e garantuar me kushtetutë. Me këtë nismë ata do të mund të realizojnë të drejtat e tyre për një të ardhme më të mirë”, thuhet më tej në komunikatë.

Megjithatë, sipas OBRIE-s, kjo nismë në Maqedoni mund të ketë edhe efekte negative për arsye se mund të ndikojë në zvogëlimin e fuqisë votuese të shqiptarëve në këtë shtet. (INA)