Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 16:00

Washington  – Nëse sot do të mbaheshin zgjedhje në SHBA presidenti i tanishëm Barak Obama do t’i fitonte të gjithë kundërkandidatët republikanë, tregojnë rezultatet e hulumtimit të publikuar në gazetën “Uashington post”.

Edhe pse madje 74 për qind e amerikanëve vlerësojnë se shteti po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa vetëm 22 për qind e mbështesin rrugën politike të administratës së deritanishme, Obama edhe më tej vlen si favoriti më i madh në zgjedhjet të cilat do të mbahen për një vit.

Sipas hulumtimit të kësaj gazete dhe të ABC News (Ej-Bi -Si Njuz), si rivali më serioz i Obamës paraqitet Mit Romni republikan nga Masaçusetsi, të cilin Obama do ta fitonte me 48 kundrejt 45 për qind.

Shefi aktual i shtetit kuoton më mirë midis zgjedhësve të lirë, të rinjve, zezakëve dhe popullatës latinoamerikane, derisa Romni mbështetje më të madhe gëzon në mjediset rurale, si dhe midis të bardhëve.

Meqë akoma nuk është vendosur se kush do të jetë kandidati republikan, si kundërkandidatë të mundshëm të Obamës përmenden edhe politikani Herman Kejn dhe guvernatori i Teksasit Rik Peri. Megjithatë, ata, sipas hulumtimit, do të kishin gjasa më të vogla kundër Obamës në raport me Romnin.

Në pyetjen si është ndërruar situata financiare nga ardhja e Obamës në pushtet, 52 për qind janë përgjigjur se është e njëjtë, 34 për qind se është më e keqe, ndërsa vetëm 13 për qind se është më e mirë.

Megjithatë, Obamës shpresën se do të mundej sërish të zgjidhet si president i SHBA-së ia jep ajo përqindje e votuesve të cilët e konsiderojnë si “njeri i ndershëm dhe njeri të cilit mund t’i besohet” (57 për qind), si dhe ata të cilët vlerësojnë se “i zgjedh problemet e njerëzve të rëndomtë” dhe se është “lider i fuqishëm” (49 për qind).