Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 21:00

Washington – Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se papunësia në SHBA do të mund të zvogëlohet për tetë për qind deri në nëntor vitin e ardhshëm, kur në vend do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

Në intervistë për emisionin 60 minuta në televizionin CBS (Si-Bi-Es), i cili do të emitohet nesër në mbrëmje, Obama theksoi se problemet ekonomike të SHBA-së ndoshta do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të mandatit të tij.

Ai theksoi se po ndjehet si kapiten i anijes, e cila ka hyrë në stuhi. Në anijen, shtoi ai, njerëzit po vuajnë nga sëmundja e detit dhe për këtë e akuzojnë kapitenin, por ai nuk është fajtor për kushtet meteorologjike.

Ai shtoi se nuk u ka dhënë premtime tejet të mëdha votuesve në vitin 2009. Obama sqaroi se nuk i ka nënçmuar vështirësitë dhe paralajmëroi se problemet ekonomike në SHBA janë pasojë e problemeve strukturore, të cilat ekzistojnë tani 20 vite.

“Do të nevojitet më shumë se një vit, madje më shumë se dy vite, e ndoshta edhe më tepër nga tërë një mandat presidencial që të zgjidhen këto probleme strukturore”, shtoi Obama.

Papunësia në SHBA në këtë moment është 8,6 përqind dhe ajo nuk ka qenë tetë ose nën tetë përqind nga janari i vitit 2009. Në SHBA papunësia prej tetë për qind vlerësohet si dukuri abnormale, ndërsa për normale vlerësohet shkalla e papunësisë prej katër deri pesë përqind.