Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 10:56

Uahington – Zyrtarët e administratës amerikane, përfshirë edhe vetë presidentin Barack Obama, e kanë arsyetuar intervenimin ushtarak perëndimor mbi Libinë si një pengim të një katastrofe humanitare dhe destabilizimin e mëtejmë të vendeve fqinje.

Intervenimi i NATO-së i udhëhequr nga Amerika, këtu ka pasur mbështetës dhe kundërshtarë dhe ky lloj deklarimi dhe debati është kanalizuar shpeshherë edhe në vija partiake, demokratët duke e mbështetur, ndërkaq republikanët me qëndrime jo të qartësuara e të luhatshme.

Ajo që dallon vendimin për ndërhyrje të administrates së presidentit Barack Obama është koncensusi që ai dhe aleatët kërkuan, bile edhe me mbështetjen e vendeve të Konferencës Islamike, për të ndërmarrë një veprim që do të ndalte masakrimin e opozitës dhe të kundërshtarëve nën armë nga diktatori Moamer Gadaf.

Duke angazhuar Evropën, Francën që të ndërmarrë sulmin e parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dashur t’i japin përgjegjësi më të madhe kontinentit të vjetër.  Ndonëse Evropa është shumë më afër, cinikët megjithatë do të thonë se vetë mënyra e intervenimi është një paralajmërim i ndarjes së sferave të interesit në rajonin e pasur me naftë.

Presidenti Obama do t’i drejtohet sonte publikut amerikan për të shpjeguar dhe arsyetuar intervenimin dhe futjen e Amerikës, siç po e quajnë disa, në luftën e tretë gjatë këtij dhjetëvjetëshi.

Obama tashmë ka deklaruar se Gadafi duhet të largohet.  E natyrisht dihej se ai nuk do të largohet me vullnetin e tij.