Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 17:00

Uashington – Presidenti amerikan Barak Obama sot i bëri thirrje ish-presidentit të Bregut të Fildishtë Lorens Gbagbo, i cili ka humbur në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, menjëherë të tërhiqet nga pushteti dhe t’i urdhërojë luftëtarëve të tij që ta dorëzojnë armën.

Obama theksoi se e përkrah rolin e forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, të cilët tentojnë t’i mbrojnë civilët dhe i përshëndeti përpjekjet e forcave franceze në përkrahjen e misionit paqeruajtës të KB-së.

Forcat e KB-së dhe të Francës dje i bombarduan rezidencën presidenciale dhe tre garnizone strategjike ushtarake, pasi bllokadat dhe përleshjet midis ithtarëve të Gbagbos dhe fituesit të zgjedhjeve Alasan Uatara në vend zgjasin tani më katër muaj.

Gjatë përleshjeve deri tani kanë humbur jetën më shumë se qindra persona, kryesisht  ithtarë të Uataras, ndërsa miliona njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre, njoftojnë agjencitë.

Bregu i Fildishtë është ish-koloni franceze, e cila pavarësinë e vet e ka fituar në vitin 1960.