Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 10:21

Uashington – Presidenti amerikan Barak Obama i bëri thirrje Qeverisë siriane që të ndalojë me dhunën mbi demonstruesit, duke e akuzuar presidentin Bashar al-Asad se kërkon ndihmë nga Irani për shuarjen e protestave.

“Në vend se ta dëgjojë popullin e vetë, presidenti Asad i akuzon të huajt, ndërsa kërkon ndihmë nga Irani për përdorim të dhunës të qytetarëve sirianë me shfrytëzimin e taktikave të njëjta brutale të cilat i shfrytëzuan aleatët e tyre iranianë”, theksohet në kumtesën e Obamës.

Diplomatët amerikanë javën e kaluar paraqitën një qëndrim të ngjashëm pas raportit se Teherani e furnizon Sirinë me pajisje për shuarjen e protestave antiqeveritare dhe ndjekje të grupeve opozitare.

Forcat e sigurisë së Sirisë kanë vrarë pothuajse 90 demonstrues, me çka ditën e djeshme e bënë njërën prej ditëve më vdekjeprurëse nga fillimi i protestave në vend, të cilat zgjasin rreth një muaj, kumtuan disa aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Komitetet lokale koordinuese shpallën një listë me emra të 88 personave të cilët e humbën jetën gjatë shuarjes së protestave në Damask, Latakija, Homs, Hama dhe Izraa.