Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 14:25

Së paku 12 vetë kanë vdekur nga ajo që quhet “sëmundja e veteranëve” në Nju Jork. Autoritetet janë vënë në alarm, pasi mund të ketë raste të reja vdekjeje.

Më shumë se 100 raste janë raportuar me këtë sëmundje në Bronksin Jugor, njërën nga lagjet më të varfra të qytetit. Zyrtarët kanë gjurmuar bakterien legionella në sistemet e ftohjes së ajrit në qindra ndërtesa të qytetit, transmeton TCH.

Të gjitha viktimat kishin probleme shëndetësore, po ashtu përveç njërit , të gjithë ishin më të moshuar se 40-vjeç.

 “Sëmundja e veteranëve” është bakter i njohur me emrin “legionella” e cila formohet në sistemet e ftohjes së ajrit. Ky bakter është emëruar me këtë emër, pasi për herë të parë u paraqit në vitin 1976.

Në këtë vit në Filadelfia u mblodhën mbi 2000 veteranë në një takim të përvitshëm për nder të Ditës së Pavarësisë. Pas tre ditësh, disa prej veteranëve të pranishëm filluan të vdisnin.

Numri total i të vdekurve shkoi në 34, ndërsa u raportua se nga kjo sëmundje misterioze u prekën rreth 220 veteranë.