Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 12:19

Nju-Jork – Drejtori ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Dominik Stros-Kan, mbrëmë vonë është arrestuar në Nju-Jork nën akuzën për sulm seksual ndaj një shërbetore, në hotel.

Stros-Kan është arrestuar në aeroplanin e “Er Frans”-it, në aeroportin ndërkombëtar të Nju-Jorkut “Xhon F. Kenedi”, dhjetë minuta para se të fluturojë për në Paris, ku nesër duhej të merrte pjesë në takimin me përfaqësuesit e euro zonës.

Njeriu i parë i FMN-së ngarkohet se, dje në hotelin “Sofitel” derisa shërbetorja e ka pastruar dhomën e tij, ka dalë lakuriq nga banja, e ka sulmuar, e ka hedhur në krevat dhe e ka detyruar në seks oral. Pas ngjarjes, shërbetorja 32-vjeçare i ka informuar kolegët e saj, të cilët menjëherë e kanë paraqitur rastin në polici.

Policia e Nju-Jorkut informoi s’e kundër Stros-Kan janë ngritur aktakuza për tentim abuzimi, sulm seksual dhe për mbajtje të njeriut kundër vullnetit të tij.

Avokati i Stros-Kan, Benxhamin Brafman deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm dhe se ashtu edhe do të prononcohet për aktakuzat e theksuara para gjykatësit hetues.

Stros-Kan (62), i cili ishte ministër francez i Financave prej vitit 1997 deri në vitin 1999, deri tani cilësohej si një prej favoritëve kryesor për kandidat presidencial të socialistëve francezë, për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.