Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 12:25

Beograd-Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka emëruar një ditë më parë gjeneralin Ljubisha Dikoviç si shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe. 

Lajmi konfirmohet nga mediat serbe, por të cilat nuk raportojnë për të kaluarën e këtij gjenerali.

Dikoviç ka udhëhequr ushtrinë serbe gjatë luftës në Drenicë, rajon ku ushtria dhe policia serbe kreu krimet më të tmerrshme në Kosovë.

Dikoviç ka qënë komandant i Brigadës 37 të ushtrisë jugosllave, e cila vepronte në territorin e Drenicës dhe është përgjegjëse për krimet e kryera në këtë rajon.

Për krimet e kryera në Kosovë, Dikoviç u dekorua me medalje nga ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, vetëm në rajonin e Drenicës janë vrarë dhe zhdukur mijëra shqiptarë, për të cilat krime Dikoviç do duhej të ishte duke vuajtur dënimin në Gjykatën e Hagës. (LajmeShqip.com)

Emërimi i tij në këtë post, sipas kryetarit të Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë , Behxhet Shala, është një dëshmi se shteti serb vazhdon t’i shpërblejë kriminelët, të cilët vranë e masakruan në Kosovë.