Lajme Shqip Saturday, 27 August 2011 12:43

Kajro – Karvani prej gjashtë automjeteve të blinduara të llojit “Mercedes” ka hyrë në Algjeri nga Libia, ndërsa tani për tani nuk është bërë e ditur se kush ka udhëtuar me të, por kjo informatë i nxit spekulimet se është e mundur që me të të kenë udhëtuar përfaqësues të lartë libianë, por edhe vetë lideri libian Moamer Gadafi, me djemtë e tij. Përfaqësuesit algjerianë tani për tani nuk e kanë konfirmuar informatën.

Një burim i këshillit kryengritës ushtarak në qytetin Gadamis, në kufirin e Libisë me Algjerinë, deklaroi se karvani me automjete të blinduara e ka kaluar kufirin dje në mëngjes.

Kryengritësit nuk kanë mundur t’i ndalin automjetet, të cilat kanë qenë “nën mbrojtjen e komandantit të njësitit ushtarak nomad të shkretëtirës, i cili duket se ka vepruar në kohën e Gadafit”.

Kryengritësit libianë dje deklaruan se gjithnjë e më shumë i hyjnë në gjurmë Gadafit. Nga fillimi i ofensivës  kundër Tripolit u paraqitën  disa zëra për lokacionin në të cilin gjendet lideri libian, ndërsa  pohohej se madje edhe ka ikur në Tunizi.