Lajme Shqip Monday, 07 October 2013 13:06

Shumë ekspertë të sigurisë po përshëndesin një propozim për të formuar një forcë të përbashkët policore ballkanike për të luftuar më efektivisht krimin e organizuar, korrupsionin dhe migracionin e detyruar, por ka pikëpyetje lidhur me atë se si do të organizohet dhe operojë forca.

Nisma e propozuar nga kryeministri malazez Igor Lukshiç është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe u diskutua mënjanë takimit të asamblesë së përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar. Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina (BiH), Serbia, maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova do të përbënin forcën e re të policisë.
Ekspertët e sigurisë thanë se përpjekja është e nevojshme sepse kriminelët po organizohen gjithnjë e më tepër në rrjete kriminale ndërkombëtare me aftësi për t’iu shmangur forcave policore të vendeve.
Përpjekja bashkëpunuese është parë si një hap i madh përpara në përballimin e këtyre kapaciteteve kriminale dhe duhet të pranohet energjikisht, tha Mirsad Abazoviç, profesor në fakultetin e sigurisë të Sarajevës.
“Për deri tani, bashkëpunimi është më shumë në një bazë ‘vullnetare’ dhe është më shumë një taktikë e përdorur nga qeveritë. Duhet një koncept sistematik dhe i mirë-menduar për të arritur rezultate,” i tha Abazoviç SETimes.
Policia në rajon duhet ta përqafojë atë gjithashtu për të qenë në gjendje të merret me rreziqet në rritje të fundamentalizmit radikal dhe grupet terroriste që sulmojnë Evropën, tha Ivan Babanovski i Agjencisë Shtetërore të Sigurisë të Maqedonisë.
“Është e rëndësshme të niset nisma edhe pa rënë dakord në të gjitha çështjet,” i tha Babanovski SETimes.
Përpjekja e përbashkët, që do të njihej si Balpol, do të bënte të mundur lidhje më të ngushta policore që do të duheshin për të menaxhuar së bashku aktivitetet e parandalimit të krimeve, përveç shkëmbimit të informacionit dhe njohurive, sipas Dragan Zhebeljan, zëdhënës për Sindikatën e Policisë të Serbisë.
“Ideja duhet të pranohet sepse policia nuk duhet të mbetet prapa strukturave kriminale,” i tha Zhebeljan SETimes.
Vladimir Bozhoviç, sekretar i shtetit të ministrisë së brendshme të Serbisë, tha se Balpol do të forconte sigurinë e Ballkanit ku kriminelët bashkëpunojnë dhe përdorin metoda dhe teknologji shumë të larta të sofistikuara.
“Krimi ndër-kufitar do të thotë prova në një vend, veprime kriminale në një tjetër dhe gjurma kriminale në një të tretë,” i tha Bozhoviç SETimes.
Bozhoviç tha se duhet të kishte një kuadër ligjor për të lejuar bashkëpunimin e policisë, që është i domosdoshëm për procedimin penal në një rajon që shkëmben 30.000 pjesë informacioni me marrëveshjesh ligjore në vit.
Por të tjerë ekspertë vënë në dukje kufizimet e nismës së Balpol.
“Është arritur tashmë përparim në bashkëpunimin dhe integrimin në Ballkan. Por problemi është niveli shumë i lartë i korrupsionit si dhe mosbesimi midis vendeve të Ballkanit,” i tha SETimesZoran Dragishiç, profesor në fakultetin e sigurisë në Beograd.
Nisma ka për qëllim t’i drejtohet të çarave ekzistuese që pengojnë policinë t’u bien pas kriminelëve përkundër marrëveshjeve ekzistuese të tilla si mbi ekstradimin, tha Vladimir Pivovarov, profesor në fakultetin e sigurisë në Shkup.
“Por funksionimi i Balpol është në pikëpyetje pasi nuk është qartë në se kushtetutat apo ligje të tjera shtetërore do të duhet të ndryshohen; ku do të vendoset arkiva e të dhënave dhe si do të mbrohen ato,” i tha Pivovarov SETimes. (SETimes/INA)