Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 17:55

Tripoli – Një orë më parë, Perëndimi nisi sulmet e paralajmëruara kundër Libisë, ndërkohë që forcat e Gadafit kishin intensifikuar sulmet mbi kryengritësit antiqeveritarë.

Aeroplani i parë që bombardoi mbi Libinë ishte pjesë e forcave të Francës, qeveria e së cilës, ditë më parë, e kishte njohur si autoritet qeverinë apo përfaqësuesit e kryengritësve të Libisë.

Një aeroplan francez e ka goditur një automjet të forcave libiane, duke shënuar sulmin e parë të fushatës ajrore mbi Libi.

Zëdhënësi i Ministrisë franceze të Mbrojtjes, Tijeri Berkhard, tha se sulmi është kryer rreth orës 17:45, por nuk dha detaje se për çfarë automjeti bëhet fjalë.

Takimi i jashtëzakonshëm i vendeve të BE-së, Ligës Arabe dhe Shteteve të Bashkuara në Paris ka përfunduar me njoftimin për ndërhyrje ushtarake në Libi.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se SHBA-të dhe vendet e koalicionit janë të gatshme të veprojnë menjëherë për t’i dhënë fund dhunës ndaj civilëve.

“Konsensusi ynë është i fortë dhe vendosmëria jonë është e qartë. Populli i Libisë duhet të mbrohet”, tha Obama në Brazil, ku ka filluar turneun në Amerikën Latine.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se avionët ushtarakë të Francës tashmë fluturojnë mbi hapësirën e Libisë.

Duke folur pas takimit në Paris, Sarkozi tha se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhyjë për të ndaluar “çmendurinë vrasëse” të Gadafit.

“Së bashku me partnerët tanë arabë, evropianë dhe të Amerikës së Veriut, Franca ka vendosur të luajë rolin e vet përpara historisë”, deklaroi Sarkozi.

Aeroplanët dhe luftanijet e SHBA-ve janë të gatshme për veprime ushtarake, por nuk marrin pjesë në fushatën fillestare ajrore, të cilën po e udhëheq Franca.

Pjesëmarrjen në operacionet mbi Libi e kanë e konfirmuar edhe Katari, Belgjika, Danimarka, Norvegjia, Holanda e Spanja, ndërkaq Kanadaja ka bërë të ditur se do të dërgojë shtatë aeroplanë luftarakë.