Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 10:03

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç deklaroi se vendi i tij është i angazhuar plotësisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ashtu si edhe në zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën.

Nikoliç i ka bërë këto komente gjatë takimit në Beograd me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Ky i fundit ka thënë se pret nga Qeveria e re e Serbisë që të dalë me “strategji konkrete dhe me plan për zgjidhjen e problemit të Kosovës”.

Lajçak, i cili është takuar edhe me kryeministrin serb, Ivica Dacic, ka thënë se është i kënaqur që Serbia është e vendosur në zbatimin e reformave në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe ka porositur se në këtë drejtim do të ketë përkrahje.

Ndërsa Dacic ka thënë se qeveria serbe është fuqimisht e përcaktuar të tregojë se Serbia është shtet serioz, që respekton interesat nacionale, por edhe obligimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, të nënshkruar me Kosovën në Bruksel.(LajmeShqip.com)