Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 14:55

Beograd – Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka deklaruar se duhet arritur një konsensus kombëtar për Kosovën dhe se synon të bisedojë me përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës, si dhe me përfaqësuesit e serbëve në jug dhe veri të lumit Ibër, në përpjekje “për të përcaktuar qëndrimin e qartë të Serbisë.

Agjencitë serbe të lajmeve transmetojnë pjesë nga intervista që Nikolic i ka dhënë të përditshmes “Danas”, në të cilën ai ka thënë se “shqiptarëve të Kosovës do t’u ofrojë autonominë substanciale, që të jetojnë si gjermanët në Itali apo si gjermanët në Belgjikë”.

“Do të propozoj, kur të merremi vesh, të jetojnë si gjermanët në Itali apo gjermanët në Belgjikë. Pa vendimin e gjermanëve, parlamenti belg nuk mund të vendos asgjë. A është pak kjo?”, tha Nikolic, siç transmeton Evropa e Lirë.

“Pse duhet të jenë shtet, kjo është aq e pakuptimtë. Disa më kanë thënë në Londër se në Olimpiadë po merr pjesë Kina, Taipei kinez, Hongkongu kinez, dhe unë kam thënë se nëse institucionet e Prishtinës paraqiten si Kosovë serbe, mund të marrin pjesë në lojërat olimpike”, ka thënë Nikolic.

Duke folur për marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet teknike në Bruksel, presidenti serb ka thënë se “qeveria nuk e ka për detyrim dhe as që do të kërkohet prej saj të zbatojë diçka për të cilën ka interpretime të ndryshme”, siç është ajo e përfaqësimit të Kosovës.

“Organizatorët e tubimeve kanë nisur ta paraqesin Kosovën vetëm me fusnotë, kurse në dokumente nuk paraqitet fusnota se çka në fakt është Kosova. Qeveria e Serbisë, për këtë arsye, edhe pse ka mbështetur marrëveshjen, ka vendosur që përfaqësuesit tanë të braktisin punimet e çdo takimi në të cilin Kosova nuk është e përshkruar si duket”.

“Çfarë bëjmë ne tash: ne nuk jemi të pranishëm në këto takime, me çka Serbia humb, sepse humb hapin me zhvillimet dhe trendet në botë”, ka thënë Nikolic, për të përditshmen “Danas”. (LajmeShqip.com)